Personat me probleme të shëndetit mendor janë shpesh edhe autorë të veprave të rënda penale.
Një ditë më parë në qytetin e Korçës, një 52 vjeçare u plagos nga një 36-vjeçar. Agresori e sulmoi gruan pa asnjë motiv ndërsa ai rezultoi një person me probleme të shëndetit mendor dhe përdorues i lëndëve narkotike. Siç mediat mësojnë rasti nuk është i izoluar dhe i panjohur, pasi sipas të dhënave zyrtare të policisë rastet e personave, të cilët kryejnë vepra penale janë të shumta. Në spitalin psikiatrik Elbasan, për periudhën Janar-Dhjetor 2022, janë shoqëruar 33 persona ndërsa deri në shtator të këtij viti janë shoqëruar 25 persona. Sakaq për të njëjtën periudhë janë shoqëruar për në qendrën spitalore të shëndetit mendor Korçë me kërkesë të personelit mjekësor rreth 200 persona.
Në Korçë, ashtu si në të gjithë vendin, mbetet një situatë problematike ajo e kryerjes së veprave penale nga persona, të cilët vuajnë nga sëmundjet e shëndetit mendor. Sipas specialistëve, janë kryesisht personat që abuzojnë me substancat dhe që nuk rehabilitohen.“Njihet personi si person përdorues i lëndëve narkotike jo i kartelizuar në qendrën tonë për shërbimin e shëndetit mendor domethënë që problemi fillestar i tij kanë qenë substancat dhe këto të patrajtuara përgjatë kohës në moshë të hershme japin tipare të personalitetit antisocial por dhe në persona të rritur formojnë individin duke dhënë sëmundje mendore. Duke u bërë të dyja bashkë lënda narkotike me sëmundjet mendore bëhen vërtet risk për kontigjentin dhe popullsinë duke çuar në vepra kriminale dhe ngjarje të rënda“, shpjegon mjekja psikiatre Nikolina Bode.Ajo që mbetet problematike është mungesa e kapaciteteve të mjaftueshme të institucioneve për të trajtuar këto raste. Rehabilitimi i tyre kalon nëpër disa hallka, por mungesa e strukturave bën që ata të rikthehen në familje apo në komunitet, duke rritur mundësinë për krime të ndryshme.