Prokuroria e Tiranës ka sekuestruar pasuri me vlerë 50 mln euro të Kristjan Boçit, të dënuar për drogë në Belgjikë, Elman Abule dhe 5 persona të tjerë, pasi dyshohet se ishin përfshirë në skemën e pastrimit të parave në Shqipëri, ku rol kishin edhe bashkëshortet e tyre.
Mes pasurive të sekuestruara janë 14 njësi tregtare, llogari bankare, dyqane, garazhe, apartamente dhe një automjet me vlerë 117 mijë euro në pronësi të Kristjan Boçit dhe gruas së tij Drilona Boçi.
Prokuroria e Tiranës informon se nga hetimet ka rezultuar se Elman Abule, i cili ka kryer dënimin për trafik droge në Belgjikë në kuadër të grupeve kriminale, ka themeluar një sërë shoqërish tregtare me qëllimin për të maskuar kryerjen e aktiviteteve të paligjshme nga ana e tij, me veprimtari të konsideruara si të ligjshme.
Raportohet se Elman Abule, nëpërmjet krijimit të një sërë kompanive, disa prej tyre nën administrimin Kristjan Boçit dhe shtetasit me iniciale V. A., kanë krijuar një skemë të mirëfilltë të pastrimit të parave.
“Nga hetimet është konstatuar kryerja e disa veprime fiktive si p.sh.: shitje – blerje automjeti, ku në të njëjtën ditë është kryer anullimi i veprimit juridik, duke u shitur më tej mjeti me çmim shumë të lartë, marrja e kredive nga banka të nivelit të dytë, në nivele të pajustifikuara, ku vetë banka çuditësisht del edhe garant i shumave të dhëna”, informon organi hetues.
Gjithashtu rezulton se janë krijuar shoqëri fiktive, të cilat pavarësisht se nuk kanë kryer aktivitet financiar kanë pasur rritje të dukshme të kapitalit themeltar. Janë dhënë hua në shuma të konsiderueshme, por duke mos u justifikuar burimi i ligjshëm i krijimit të tyre, si edhe janë krijuar shoqëri me kuota të përbashkëta midis shtetasit me iniciale E. A. dhe Kristjan Boçit, apo midis Kristjan Boçit dhe Elman Abule, duke u përcaktuar vlera të mëdha të kuotave, por të pashlyera nga ortakët respektivë, blerja e heceve me vlera të konsiderueshme, por të papërligjur burimi i të ardhurave, etj.
Pasuritë e sekuestruara të Kristjan Boçit:
– Pasuria e llojit “Njësi”, me çmim të blerjes 9,300,000 Lekë;
– Pasuria e llojit “Njësi”, me çmim i blerjes 600,000 Euro;
– Pasuria e llojit “Dyqan”, me sipërfaqe 222 m2;
– Pasuria e llojit “Dyqan” me sipërfaqe 220.8 m2 dhe verandë me sipërfaqe 285 m2;
– Pasuria “Apartament”, me sip 201.8 m2;
– Pasuria “Garazh” me sipërfaqe 18.9 m2;
– Pasuria “Garazh” me vlerë totale 25,000 Euro ose 3,425,000 lekë (secili 25,000 Euro); dhe
– Pasuria e llojit “Autoveturë”, të tipit “Mercedez Benz”, në shumën 117,000 Euro.