Gazetari Osman Stafa ka publikuar sot një dëshmi skandaloze nga Spitali Onkologjik në QSUT, ku trajtohen pacientët me kancer. Referuar denoncimit që ka mbërritur në llogarinë e tij, kryeinfermieri ka “kërcënuar” pacientët se do i nxirrte jashtë me shkop bejsbolli.
Si një i ri guximtar dhe gazetar që prej muajsh po denoncon abuzimet në Spitalin Onkologjik, Osman Stafa publikon videon që tregon debatin e kryeinfermierit me një paciente.
“Veç kësaj, 19 poltronët e Onkologjikut, vendi ku bëhet kimio, janë të pamjaftueshëm për 80 pacientët që bëjnë kimio në një ditë. Për këtë arsye thotë pacienti, që shpesh e bëjnë kimion edhe nëpër karrige”, shkruan ai.
Ndërkohë, referuar mesazhit që ka dërguar qytetari, kryeinfermieri quhet Artur Alimani dhe është transferuar në Spitalin Onkologjik prej Spitalit nr.5 në Tiranë. Edhe gruaja që shfaqet në video, thotë qytetari, nuk ka marrë shërbim të plotë për shkak të debatit.
Dy ditë më parë, gazetari Osman Stafa nxjerr mesazhet e mjekëve të Onkologjikut dhe paralajmëron kallëzim në SPAK. Ai shfaqet me një dosje të madhe në dorë, përpara këtij spitali dhe lexon disa nga mesazhet që mjekët i dërgojnë njëri-tjetrit në WhatsApp.