Artan Tafani u kthye në një “thesar” të policisë, në momentin që vendosi të bashkëpunonte, duke zbardhur 6 vrasje dhe duke fundosur “shokët” e tij të bandës së Laert Haxhiut.
Por kush është i riu që zbardhi disa nga krimet më të rënda në vendin tonë dhe çoi pas hekurave 12 persona?
Tafani vjen nga një jetë traumash, teksa në vitin e “mbrapshtë” 1997, kur ai ishte jo më shumë se 10 vjeç, i vranë babain para syve të tij. Në Lushnjë ai njihej me emrin “Marjusi i Bashkimit”, ndërsa pas vrasjes së të atit u shpërngul me nënën e tij në jug të vendit dhe u “pagëzua” me emrin Artan Tafani.
Në 97-n, në lokalin e familjes së tij, tip bilardo, në Stan Karbunarë të Lushnjës, disa persona që dyshohet se ishin miq të të atit nga Elbasani, do të vrisnin Bashkim Tafanin dhe do i kursenin jetën Marjusit. Por edhe pse i vogël, ai do të betohej për hakmarrje.
Me Laert Haxhiun u njoh dhe u bë mik në vitin 2010, kur Artani do të kthehej sërish në Lushnjë. Edhe Haxhiu ishte një fëmijë që kishte vuajtur në vitin ’97, pasi i kishin djegur shtëpinë dhe i vranë nipin Bledar Haxhiu.
Nga ajo kohë deri tek grabitja e rreth 40 mijë eurove në një “Exchange” në Astir, më 24 qershor, çdo gjë shkonte mire dhe të dy, së bashku me anëtarët e tjerë të bandës do kryenin krime nga më të ndryshmet dhe më të rëndat.
Disa ditë më pas ai do të binte në pranga pikërisht aty ku dhe nisi jetën e krimit, në Lushnjë. Marjus Tafani u kap një hotel përballë Savrës, në autostradën Lushnjë-Fier. Tentoi rezistencë, por u rrethua shpejt. Menjëherë pas arrestimit u përball me fakte që e tronditën. Atij iu tha se ishin gjetur prova të pakundërshtueshme, jo vetëm për grabitjen në Astir, por edhe për vrasjen e Albi Bashaliut në Peqin, pamje filmike të tij dhe targat e një mjeti. Përballë tyre Tafani u dorëzua dhe nisi rrëfimin që i bëri entuziast hetuesit.
39-vjeçari me vete mbante edhe një pistoletë me fishekë në fole gati për qitje, rreth 200-euro dhe 3 aparate celularë. Tafanin sot, pavarësisht statusit “i Penduar”, akuzohet për 19 krime, vrasje, tritol, kanosje, e grabitje.