Prokuroria e Tiranës ende nuk ka siguruar asnjë pamje filmike nga lokali “Fergen” në pronësi të Kujtim Bërdakut. Gjatë marjes në pyetje të Kujtimit dhe djalit të tij, Ferdinandit, ata kanë pretenduar se kamerat e lokalit megjithëse ishin të instaluara, kishin disa ditë që nuk ishin në gjëndje pune.
Prokuroria dyshon se personat në fjalë kanë bërë riformatimin e DVR, duke fshirë pamjet filmike dhe nxjerrë jashtë përdorimit të procesit të filmimit. I vetmi filmim që ndodhet në dosje dhe që tashmë është bërë publik, është video e filmuar nga vetë grupi i fisit Rraja.
Teksa janë mbushur 6 ditë nga ndodhja e ngjarjes, vijojnë të qëndrojnë në kërkim Rexhep Rraja, Xhelal Rraja dhe Edison Meta, Flamur Rraja dhe Përparim Rraja. Ndërsa tre persona të grupit Rraja janë arrestuar dhe ndodhen në burg,ndërsa pronari i lokalit ku ndodhi dhunimi, Kujtim Bërdaku është lënë në masën e detyrimit për paraqitje.
Bilbil dhe Jashar Maja, u dhunuan të enjten e javës së kaluar nga një grup i fisit Rraja, pasi dy kushërinjtë kishin kundërshtuar shpërthimet me tritol në guroren e Përparim Rrajës, shpërthime këto që i kishin plasur banesat e tyre.