Reforma në ushtri ish-majorin Shenasim Sadikaj, nga Levani Fierit e detyroi atë që në vitin 2003 të merrej me tregtinë e pulave të importit.
Ish-ushtaraku pasi siguroi tregun e pulave, vendosi që të hiqte përgjithnjë dorë nga shpendët e importit, për të ngritur kapanonin e parë të zogjve, ku që prej asaj ditë ai nuk hoqi kurrë dorë nga mbarështimi i gjësë së gjallë.
“Bashkë më një shokun tim u morëm më tregtinë e pulave. Pasi punuam disa vjet me këtë tregti lindi nevoja e prodhimi të vendit sepse ato pula vinin nga Greqia. Atëherë u detyrova dhe bleva një sipërfaqe tokë në komunën e Levanit dhe fillova e ndërtova kapanonin e parë duke futur 10 mijë krerë“- shprehet fermeri Shenasim Sadikaj.
Pas tre dekadash vite punë, 72 vjeçari ka arritur të ngrejë tre kaponone në të cilat mbarështon 22 mijë zogj. Zogjtë në kapanonin e Shenasimit vijnë 24 orësh dhe shiten pasi 40 ditësh, atëherë ku shpendi arrin peshën e duhur.
“Kapononi i ri mban 12 mijë krerë. Është i pajisur më çdo gjë moderne nga ku gjithçka e komandon kompjuteri. Ky zogu ka ardhur 24 orësh sot është 35 ditë dhe ka peshën 1.8 kilogram. Erdhi dhe u rrit në kushte optimale, stabilimenti i plotësoj te gjitha nevojat për rritjen e zogut me temperaturë, ventilin dhe ushqimin.”- shton fermeri Sadikaj.
Shenasimi që kur filloi të merrej me mbarështimin e zogjve të pulave thotë se në treg e mbajti korrektësia ndaj konsumatorit, duke rritur zogj me ushqim të sigurt. Pavarësisht moshës, dëshira e tij është që të shtojë numrin e kapanonevë me pula./ Top Channel