Dy drejtues policie të komisariatit të Devollit janë pezulluar nga detyra, pasi akuzohen për shpërdorim detyre. Bëhet me dije se janë pezulluar shefi i komisariatit, Besmir Palamani dhe shefi i rendit Admir Belishta.
Dyshohet se ata kanë lejuar prerjen e paligjshme të pyeje dhe shitjen e lëndës drusore. Ata kanë qenë në përgjim përreth 3 muaj nga ana e Prokurorisë së Korçës.
Njoftimi i AMP:
Sot, Drejtoria Rajonale e Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore Elbasan-Korçë, në kuadër të proçedimit penal nr. 724 të vitit 2022, ka ekzekutuar Vendimin e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Korçë, e cila ka vendosur caktimin e masës së sigurimit personal “Pezullim i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” ndaj punonjësve të strukturës së Komisariatit të Policisë Devoll, si më poshtë vijon;
– Kryekomisar B. P., me detyrë Shef i Komisariatit të Policisë Devoll, i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Shpërdorim detyre”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.
– Komisar A. B., me detyrë Shef i Seksionit për Rendin në Komisariatin e Policisë Devoll, i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Shpërdorim detyre”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.
Nga hetimet e kryera deri në këtë fazë të hetimit, rezulton se punonjësit e mësipërm kanë shpërdoruar detyrën, duke lejuar prerjen e paligjshme të pyjeve, transportimin dhe tregtimin e lëndëve drusore për llogari të shtetasve të ndryshëm, duke shmangur shtetasit T.D, A.B dhe N.H. nga përgjegjësia administrative e penale dhe duke dëmtuar interesat e shtetit për mbrojtjen e pyjeve nga prerjet e paligjshme.
AMP mbetet e përkushtuar në misionin e saj për garantimin e zbatimit të ligjit dhe fton qytetarët të denoncojnë çdo rast të abuzimit apo shkeljes së ligjit nga ana e punonjësve të Policisë së Shtetit, duke telefonuar në numrin e gjelbër 0800 90 90.