Është shoqëruar mëngjesin e sotëm në Gjykatën e Fierit 34-vjeçari, Aranit Arapi nga Divjaka pasi akuzohet për kryerje të marrëdhënieve seksuale me një të mitur 14-vjeçare nga Roskoveci. Aranit Arapi nga fshati Kryekuq i Divjakës është vënë në pranga nga policia mbrëmjen e 10 Janarit 2023.
Trupi gjykues, i kryesuar nga gjyqtare Klodiana Kryeziu dhe prokurore Oliana Gjergjefi, duke ju referuar çështjes në fjalë dhe pas shqyrtimit të provave dhe dëshmive, ka vendosur caktimin e masës “arrest me burg” për 34-vjeçarin.
Prangosja e tij u bë në banesë pasi prej 10 muajsh ishte në një lidhje me një vajzë 14-vjeçare. E mitura që prej muajit Mars të vitit të shkuar jetonte me familjen e djalit, ndërsa këta të fundit kishin bërë edhe dasmë.
Lidhja është kundërshtuar vazhdimisht nga prindërit e vajzës, të cilët e kanë denoncuar rastin në polici. 34-vjeçari është shoqëruar disa herë nga uniformat blu, por më pas është lënë i lirë gjatë kësaj periudhe. Pas denoncimit të radhës, Arapi u arrestua mbrëmjen e së mërkurës.
Prindërit e djalit thonë se vajza ka qëndruar në shtëpinë e tyre me dëshirë, ndërsa diçka të tillë e ka shprehur edhe para policisë. Ata thonë se as ata dhe as djali nuk kanë qenë në dijeni të moshës së saktë të vajzës.
Pas arrestimit të 34-vjeçarit, e mitura është larguar nga banesa e tij dhe është nën asistencën e psikologëve dhe sociologëve.