– Këngëtari Luiz Ejlli dhe fituesi i Big Brother VIp 2 ka përfunduar në duart e SPAK. Këngëtari Ejlli është kallëzuar në Prokurorinë e Posaçme me pretendimin se ka ndërhyrë në mënyrë të paligjshme si dhe ka kërcënuar zyrtarë të IKMT me qëllim që të mos shembin një objekt të paligjshëm në Shirokë të Shkodrës.
Lajmi është publikuar nga ‘Prapaskena’, dhe sipas kallëzimit, ndërtesa pa leje figuronte në emrin e një 79-vjeçari, Zef Lgataj. Në kallëzim thuhet se Ejlli tentoi të ndërhynte deri tek kreu i IKMT-së që kjo ndërtesë të mos prishej, me pretendimin se edhe ai ishte ortak me disa miq të tij.
Sipas kallëzimit, me datë 17.10.2023, kreu i IKMT Shkodër, Agim Ismaili ka marrë vendimin për prishjen e këtij objekti pa leje. Po atë ditë që është publikuar vendimi, sipas kallëzimit Luiz Ejlli ka marrë me urgjencë kreun e IKMT dhe i ka kërkuar një kërkuar atij një takim. Takimi është zhvilluar dhe në kallëzim thuhet se Luiz Ejlli ka kërkuar që të mos ndërhyhet për prishjen e këtij objekti, të paktën për disa javë derisa ta legalizonin.
Në kallëzimin e publikuar nga Prapaskena, thuhet se në momentin që këngëtarit iu komunikua se nuk ka asnjë hapësirë ligjore që të mos prishet ky objekt, ai ka kryer një telefonatë në prani të zyrtarëve të IKMT. Personi me të cilin ka komunikuar nuk dihet, por biseda është zhvilluar me zë të lartë përmes telefonit, dhe sipas kallëzimit personi në fjalë ka lëshuar kërcënime kundrejt zyrtarëve duke u shprehur se “nuk i ka mbetur gjë tjetër veçse ta zgjidhë me armë”.
Tentativat e Luiz Ejllit për të ndërhyrë te kreu i IKMT shkuan dëm dhe më pas në datë 10.10.2023 është prishur objekti. Telefonata e Luiz Ejllit kishte shtuar dyshimet e zyrtarëve të IKMT-së se pas ndërtimit të këtij objekti nuk fshihej 79-vjeçari, i cili është vënë në hetim për “vjedhje të energjisë elektrike”, por persona të tjerë. Kështu, zyrtarët u vendosën në lëvizje për të gjetur ‘kokën’ dhe kanë kryer disa inspektime te fabrikat e betonit me qëllim për të rënë në gjurmët e personit që ka kryer blerjet për këtë godinë.
Në kallëzimin e publikuar nga “Prapaskena” thuhet se IKMT nuk e identifikoi asnjëherë se për llogari të kujt po ndërtohej ky objekt, por kallëzuesi ka ngritur pretendime se ndërtesa ishte në të vërtetë e Bajrave, një grup kriminal me influencë në zonën e Shkodrës. Dhe madje në kallëzim thuhet se Luiz Ejlli do të merrte një pjesë nga ky ndërtim.
“Pas këtij operacioni të IKMT dhe veprimeve të tjera verifikuese administrative, kam vijuar detyrat normalisht megjithëse shpeshherë kam dëgjuar se ai ndërtim që prishëm: Është ndërtuar nga anëtar të grupit kriminal të “Bajrave” në Shkodër. Luiz Ejllit i është premtuar një pjesë e atij ndërtimi nëse do arrinte të shpëtonte prishjen e tij.Për prishjen e tij do hakmerreshin ndaj meje e të tjerëve.
Mirëpo këto të dhëna nuk i kam vlerësuar e as marrë në konsideratë për shkak se të gjitha veprimet e kryera prej meje kanë qenë në përputhje me parashikimet ligjore dhe i përgjigjeshin më së miri paligjshmërisë së konstatuar”, thuhet në kallëzim.
Pasi është shembur objekti dhe nisën inspektimet në fabrikat e betonit, në kallëzim thuhet se Luiz Ejlli ka kërcënuar sërish kreun e IKMT, Agim Ismailin, duke i thënë se “Paske dërguar njerëz të fabrikat e betonit”, “është mirë mos me e ndjek këtë çështje, “po e bën personale.”
Skandali thellohet edhe më tej, kur më datë 22.11.2023, kur Agim Ismaili lirohet nga detyra e kryeinspektorit dhe në vend të tij më pas emërohet Ervin Hoxha. Në kallëzim thuhet se pas kësaj lëvizje, inspektori që ka bërë kallëzimin i ka ardhur një mesazh në telefon ku shkruhej “Të fala nga objekti në Zogaj shumë. Dhe Luiz Ejlli të çon të fala, do këndoj për ty shumë flm respekt”.
Nga detyra po ashtu u liruan më pas edhe inspektorët Alban Mustafaj dhe Kolin Laska, të cilët në fakt kishin zbatuar detyrën.