Aktorja e madhe, Margarita Xhepa, feston sot ditëlindjen e 90-të. Ajo ka lindur më 2 prill të vitit 1934-ës në Lushnjë.
Xhepa është një nga figurat ikonë të Teatrit dhe Kinematografisë shqiptare.
Artistja shumë e dashur nga shqiptarët u aktivizua fillimisht në Estradën e Shtetit dhe më pas në Teatrin Popullor.
Ajo spikati në plejadën e kohës përmes interpretimit të rolit të Ofelisë të tragjedisë shekspiriane “Hamleti”, vënë në skenë në vitin 1960 prej regjisorit rus Bortko.
Në skenën e teatrit, Xhepa ka luajtur mbi 150 role, mes të cilave veçojmë: Ledi Milfordin në dramën “Intrige e dashuri” (F. Shiler), Melën në dramën “Morali i zonjës Dulska” (G. Zapolska), Dafinën në dramatizimin e romanit “Lumi i vdekur” (J. Xoxa) dhe nënën në inskenimin e romanit të Kadaresë, “Kush e solli Doruntinën”.
Disa prej personazheve që interpretoi mjeshtërisht janë Zyraka te “Vitet e para” (1965), Shano te “Dimri i fundit” (1976), pianistja te “Koncert në vitin 1936 (1978) dhe Lena te “Tokë e përgjakur” (1976).
Në rolet e tjera nga dramaturgjia botërore spikasin Klea te “Dhelpra dhe rrushtë” (Figereido), Lena te “Xhaxha Vanja” (Çehov), Ledi Milford te “Luiza Miler” (Shiler), Zonja Berling te “Vizita e inspektorit” (Pristli), Zonja Lomen te “Vdekja e një komisioneri” (A. Miller), Ana Andrejevna te “Revizori” (Gogol), Marsela te “Qeni i kopshtarit” (De Vega), Mashenka te “Mashenka” (Afigenov), Shejla te “Morali i zonjes Dulska” (Zapolska), apo Dado tek “Elektra” e Sofokliut, nën drejtimin e regjisorit grek Dhimitri Mavriqis, në Teatrin Kombëtar të Greqisë, në Athinë.
Veç roleve në teatër, ka realizuar edhe 32 role në kinematografi, duke punuar me shumicën e regjisorëve shqiptarë. Me K. Dhamon xhiron “Vitet e para” dhe “Gjurmët”, me I. Muçajn e K. Mitron “Dimri i fundit”, “Tokë e përgjakur”, “Një djalë edhe një vajzë” dhe “Apasionata”, me Viktor Gjikën, “Gjeneral gramafoni”, me E. Musliun, “Rrethi i kujtesës” dhe “Vitet e pritjes” (E. Musliu), me Kujtim Çashkun, “Dora e ngrohtë”, me Dhimitër Anagnostin, “Gurët e shtëpisë sime”, me P. Milkanin, “Pranvera s’erdhi vetëm”, me S. Kumbaron, “Koncert në vitin 1936”, me Gj. Xhuvanian “E diela e fundit” dhe “I dashur armik”.
Në maj 2004 u rikthye në skenën e Teatrit Kombëtar, për të shkëlqyer në dramën “Streha e të harruarve”, një tjetër sukses në karrierën e saj 50-vjeçare.
Në vitin 2007 iu dha “Çmimi i Karrierës” për rolin e Nadjezhnës në monodramën “Kënga e mjellmës” së Çehovit. Krahas teatrit, Xhepa është shfaqur në ekranin e filmit me një galeri të larmishme prej 31 rolesh.
Xhepës i janë akorduar gjithashtu edhe titujt “Artiste e Popullit”, “Nderi i Kombit”, dhe Urdhri i Lartë “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”.