Gazetari Eni Ferhati ka folur për vrasjen e trefishtë të ndodhur ditën e sotme në Tiranë. Në studion e emisionit “Në Shënjestër” ai u shpreh se institucionet kanë dështuar në parandalimin e këtij krimi të rëndë.
Ferhati u shpreh në emisionin “Në Shënjestër” se autori Dan Hutra ka pasur një konflikt me vëllanë e njërës prej viktimave Etleva Kurti, pasi kanë qenë bashkë në qelinë e burgut.
“Ngjarje shumë e rëndë. Sa i përket dinamikës së ngjarjes, Dan Hutra ka marrë një makinë me qira, fillimisht ka ekzekutuar Etleva Kurtin në Bathore, aty ka gjetur vetëm 31-vjeçaren, fatmirësisht ka shpëtuar nëna e saj që ishte brenda në banesë.
Vëllai i Etleva Kurtit kishte konflikt me Dan Hutrën brenda qelive të burgut, pasi ka dalë jashtë ka vendosë t’i godasë familjen por kjo është ende një tezë. Hutra kishte vetëm 2 javë që kishte dalë nga burgu, ka pyetur për shtëpinë e Kurtit. Ai është identifikuar nga një shtetase e mitur e cila ka përshkruar pamjen e tij”, u shpreh Ferhati.
Më tej Hutra është nisur drejt Paskuqanit ku ka hyrë në banesën e ish bashkëjetueses dhe ka qëlluar me armë. Ferhati zbuloi se me Elena Hysën, Hutra kishte edhe një vajzë por kishte dyshime për atësinë e saj. Mes çiftit kishte pasur konflikte edhe për një borxh të pashlyer për shpenzimet e fejesës.
“Pas kësaj ngjarje u nis drejt Paskuqanit, rrugë që bëhet për 4-5 minuta, atje ku banonte ish-bashkëshortja e tij. ka hyrë menjëherë në banesë dhe ka qëlluar kë ka parë fillimisht. Disa prej personave kanë qenë në oborr ku ka qenë e parkuar edhe një makinë.
Dan Hutra kishte një të mitur që kishte ardhur në jetë nga fejesa me Elena Hysajn, por marrëdhëniet e tyre ishin shumë të tensionuara, ai kishte dyshime për atësinë e fëmijës. Kishte edhe një borxh të pashlyer mes tyre për shpenzimet e fejesës së prishur. Elenën e trajtonte si skllave. Krim i paralajmëruar që institucionet duhet ta kishin parandaluar. Në dëshminë e Elenës ka thënë që do e lyente shtëpinë e tyre me gjak dhe mediat botërore do të flisnin për të.
Hutra kishte një plan të mirëmenduar. Jemi para kushteve ku edhe Inspektori i Lartë i Drejtësisë duhet të vihen në lëvizje se si një person i tillë vuan vetëm 8 muaj për dhunën në familje, ndërkohë që deklarimet e familjarëve të të dhunuarës tregohet se ai mund të ishte shumë herë më i dhunshëm dhe kishte paralajmëruar të tilla krime”, ka deklaruar ai.