Me 12 vite burg e ka dënuar Gjykata e Apelit e Tiranës noteren Rezarta Koçi, e akuzuar se ka mashtruar disa qytetarë duke u marrë shuma të konsiderueshme parash.
Koçi u arrestua dy vite më parë me akuzat “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Vjedhja e kryer duke shpërdoruar detyrën”, pasi më herët kishte përvetësuar në mënyrë të kundërligjshme shuma të konsiderueshme monetare nga qytetarë të ndryshëm.
Për shkak të përfitimit nga gjykimi i shkurtuar, Koçi është dënuar me një total prej 8 vitesh në burg.
Koçi u vu në qendër të lajmeve në nëntor të vitit 2021, pasi makinës së saj tip “Range Rover” i vendosën lëndë eksplozive teksa ishte parkuar në Komunën e Parisit, Tiranë.
Më herët, Koçi ka shërbyer asistente e ish-ministrit Eduard Halimi dhe ka punuar si pedagoge në një universitet privat.
Vendimi i plotë:
Referuar raportimeve të mëparshme në media, Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, informon sa më poshtë:
Mbi bazën e materialit referues të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, Prokuroria pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, ka regjistruar procedimin penal për veprën penale të “Vjedhjes duke shpërdoruar detyrën”, parashikuar nga neni 135 i Kodit Penal. Nga materialet e referuara nga Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë, në përmbajtje të tyre rezulton se ndaj noteres me iniciale R.K. në periudha të ndryshme kohore, janë paraqitur kallëzime nga shtetasit me inicialet E.Q, P.Z, E.N, F.D, duke pretenduar se duke shpërdoruar detyrën u ka vjedhur një shumë parash.
Në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë, është zhvilluar gjykimi lidhur me çështjen penale që i përket të pandehurës me iniciale R. K, e akuzuar për kryerjen e veprave penale “Vjedhje duke shpërdoruar detyrën”, kryer në katër raste dhe“Falsifikimi i dokumentave”,më shumë se një herë, parashikuar nga nenet 135 dhe 186/2 të Kodit Penal.
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, me vendimin nr. 313, datë 08.02.2023 ka vendosur:
1.Deklarimin e të pandehurës R. K fajtore për veprën penale të “Vjedhja duke shpërdoruar detyrën” në dëm të viktimës P. Z, dhe dënimin e saj në bazë të nenit 135 të Kodit Penal me 5 (pese) vjet burgim.
2.Deklarimin e të pandehurës R. K fajtore për veprën penale të “Vjedhja duke shpërdoruar detyrën” në dëm të viktimës E. Q dhe dënimin e saj në bazë të nenit 135 të Kodit Penal me 5 (pese) vjet burgim.
3.Deklarimin e të pandehurës R. K fajtore për veprën penale të “Vjedhja duke shpërdoruar detyrën” në dëm të viktimës E. N dhe dënimin e saj në bazë të nenit 135 të Kodit Penal me 5 (pese) vjet burgim.
4.Deklarimin e të pandehurës R. K fajtore për veprën penale të “Vjedhja duke shpërdoruar detyrën” në dëm të viktimës F. D dhe në bazë të nenit 135 të Kodit Penal dhe dënimin e saj me 5 (pese) vjet burgim.
5. Deklarimin e të pandehurës R. K fajtore për veprën penale të “Falsifikimi i dokumentave” më shumë se një herë,” dhe dënimin e saj në bazë të nenit 186/2 të Kodit Penal me 2 (dy) vjet burgim.
6. Në zbatim të nenit 55 të K. Penal, në bashkim të dënimeve, e dënon të pandehurën R. K me një dënim të vetëm prej 15 (pesëmbëdhjetë) vjet burgim.
7. Në zbatim të nenit 406 te Kodit te PR. Penale, i ulet 1/3 e masës se dënimit duke e dënuar përfundimisht te pandehurën R. K me 10 (dhjetë) vjet burgim.
8. Vuajtja e dënimit i fillon te pandehurës nga dita e arrestimit te saj ne lidhje me këtë çështje.
9. Dënimi te kryhet ne një burge te sigurisë se zakonshme.
Çështja në apel u shqyrtua mbi bazën e ankimit të bërë nga e pandehura me iniciale R. K, e cila kërkoi:
1.Ndryshimin e vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë si më poshtë:
A. Ndryshimin e cilësimit juridik të veprës penale nga “vjedhje me shpërdorim detyre” parashikuar nga neni 135 i Kodit Penal i cilësuar 4 herë, në “mashtrim” duke e cilësuar vetëm një herë sipas nenit 143 të Kodit Penal.
Shtimin në kualifikimin e veprës penale edhe të rrethanave lehtësuese: “pendimi i thellë i të pandehurës” dhe “përpjekje për pakësimin e pasojave të veprës penale”, të parashikuara nga neni 48 shkronjat “ç” dhe “d” të Kodit Penal.
Zbutjen e masës së dënimit duke caktuar për të pandehurën R. K një dënim deri 5 vjet burgim në maksimum brenda kufijve të dënimit të parashikuar për veprën penale “mashtrim” parashikuar nga neni 143 i Kodit Penal.
B. Deklarimin e pafajshëm të të pandehurës R. K për veprën penale të “falsifikimit të dokumentave”, të kryer më shumë se një herë, parashikuar nga neni 186/2 i Kodit Penal.
C. Në rast të mos pranimit të ndryshimit të kualifikimit sipas nenit 143 të Kodit Penal, ndryshimin e kualifikimit duke e cilësuar veprën penale të kryer prej saj vetëm 1 herë sipas nenit 135 të Kodit Penal.
D. Zbutjen e dënimit të së pandehurës R. K duke caktuar ndaj saj një dënim jo më shumë se 5 vjet burgim.
E. Në rast se pas caktimit të dënimit do të rezultojë se masa e mbetur e dënimit do të jetë më pak se 2 vjet burgim, urdhërimin e vuajtjes së pjesës së mbetur të dënimit në banesë sipas nenit 59/a shkronja “a” të Kodit Penal, me qëllim që e pandehura R. K të mund të ushtrojë përgjegjësinë prindërore për dy fëmijët e saj të mitur përkatësisht 8 vjeç dhe 13 vjeç.
Në përfundim të gjykimit, më datë 04.04.2024, Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, e përbërë nga trupi gjykues me Relatore Gjyqtare znj. Lutfije Celami dhe anëtare znj. Miranda Andoni dhe z. Qemal Zaimi, vendosi:
– Lënien në fuqi të vendimit Nr.313 datë 08.02.2023 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë me ndryshimin si vijon:
– Në bazë të nenit 55 të Kodit Penal pas bashkimit të dënimeve, e pandehura R. K dënohet me një dënim të vetëm prej 12 (dymbëdhjetë) vite burgim.
– Në aplikim të nenit 406 të Kodit të Procedurës Penale pas uljes së dënimit me 1/3, e pandehura R. K dënohet përfundimisht me 8 (tetë) vite burgim.