Një skandal i vërtetë është denoncuar së fundmi në Tetovë, përkatësisht në Spitalin e Gjinekologjisë, ku një nga mjekët specialistë ka xhiruar gratë në një nga sallat, madje i ka nxjerrë edhe live në TikTok, duke bërë një “ndeshje” me një person tjetër.
“Doktori nga Tetova del live në sallën e gjinekologjisë dhe pa pikë turpi i shfaq trupin dhe fytyrat gravenë gjendje tmerruese, ky duhet dënuar. Kjo nuk tolerohet,”-shkruhet në videon që kanë xhiruar ndjekësit e që është shpërndarë me shpejtësi.
Ndërkohë, ajo që e bën më të rëndë këtë video janë britmat e grave që bërtasin nga dhimbjet e lindjes apo probleme të tjera shëndetësore.Policia e Tetovës ka arrestuar të premten pasmesnate një mjek anesteziolog në Spitalin e Tetovës, pasi kishte xhiruar një video nga Reparti i Gjinekologjisë, të cilën më pas e kishte postuar në TikTok.
Arrestimi i mjekut është bërë pas denoncimit të bërë nga drejtori i Spitalit klinik të Tetovës, Pëllumb Vela. Ai e ka cilësuar publikimin e videos si “të papranueshme”.
“Ky veprim për ne është i pakuptueshëm. Dënojmë çdo sjellje joprofesionale të stafit mjekësor ndaj pacientëve”, ka thënë për TV21, drejtori i spitalit, Vela. Mjeku anestezist kishte publikuar video nga salla e lindjes ku shiheshin gratë të cilat përjetonin dhimbjet e lindjes.
Ky rast ka shkaktuar reagime të shumta në opinionin publik, pasi qytetarët kanë kërkuar masa urgjente nga institucionet përkatëse, por edhe masa tjera për parandalimin e publikimeve të tilla të cilat cenojnë privatësinë e njerëzve.