Një 40-vjeçare nga Filipinet e arrestuar dy ditë më parë nga policia, ka dalë para Gjykatës së Tiranës e cila caktoi ndaj saj masën e “arrestit në burg”, për vjedhje.
Prej disa kohësh Marilou Beninsig punonte pranë një familjes së mjekut okulist Amarildo Beshi, pranë “Rrugës së Dibrës” në Tiranë ku përkujdesej për punët e shtëpisë, deri ditën kur u kallëzua nga pronarët për vjedhje.
Ata pretenduan se filipinezja kishte vjedhur 1800 euro brenda një kutie biskotash që ndodhej në kuzhinë.
Familja në fjalë pretendon se disponon prova të vjedhjes, por Beninsig e mohoi një akuzë të tillë. Ajo nuk pranoi autorësinë e vjedhjes ndërsa kërkoi nga gjykata lirinë, duke thënë mes të tjerave se ishte në proces të marrjes së leje qëndrimit në Shqipëri.
Ajo tha se jetonte e vetme dhe prej kohësh punonte pranë kësaj familje për të siguruar të ardhura. Por ndërkohë togat e zeza nuk e pranuan kërkesën e saj duke vendosur masën “arrest në burg” deri në përfundim të hetimeve.