18-vjeçari Aurelio Dervishi ndërroi jetë mbrëmjen e djeshme pasi u qëllua me thikë në kraharor gjatë një sherri me disa adoleshentë.
Miqtë e tij e përshkruajnë 18-vjeçarin si një djalë të mirë e të qetë, i cili i qëndronte larg sherreve. Ata kanë folur për gazetaren e Top Channel, Dorjana Bezat, duke treguar se pasi kishte mbaruar gjimnazin, ai punonte me të atin, me të cilin bënin punime elektrike.
Ata shtojnë se e kanë takuar Aurelion vetëm gjysmë ore para ngjarjes dhe tregojnë se ishte pasagjer në një makinë, por shprehen se nuk e kanë parë se me kë ishte i shoqëruar.
Ngjarja e rëndë ndodhi mbrëmjen e djeshme në rrethin e Shkozës, dhe “mollë sherri” mes adoleshentëve dyshohet se ishte një vajzë 16-vjeçare, e cila më herët ka qenë e dashura e një prej shokëve të Aurelios dhe tashmë ishte lidhur me dikë tjetër.
Në momentin e krimit ajo ka qenë në makinë me viktimën dhe grupi I tjetër I adoleshentëve u ka bërë me shenjë që të ndalonin. Këtu ka filluar konflikti dhe pasi janë përleshur fizikisht, një 15-vjeçar ka qëlluar me thikë në kraharor 18-vjeçarin.