Ushtarë rusë shihen në pamjet e shpërndara nga ministria e mbrojtjes në Moskë duke nxjerrë një burrë nga rrënojat e banesës së tij të shembur në Aleppo të Sirisë.
E njëjta video tregon më tej trupat ruse duke shpërndarë ndihma humanitare për banorët e traumatizuar të qytetit historik. Dhe kjo duket deri tani e vetmja ndihmë nga jashtë që kanë marrë.
Gjysmëhëna e Kuqe siriane i kërkoi komunitetit ndërkombëtar të heqë sanksionet e vendosura ndaj regjimit të presidentit autoritar sirian, Bashar al-Assad, për të lehtësuar përpjekjet e shpëtimit, në mënyrë që ndihma ndërkombëtare të mbërrijë dhe për banorët e zonave në anën siriane te kufirit, të prekur nga tërmetet shkatërrimtare të së hënës dhe nga paslëkundjet që nuk reshtin. Të vetmit me sa duket që ka lejuar të nisen atje, janë forcat e aleates së vjetër të Assadit, Moskës.
Por në këto momente, njerëzve të përballur me tragjedinë e humbjes së të afërmve, humbjes së cdo gjëje që zotëronin e që për të cilën kishin punuar në jetë, politika është gjëja e fundit që u shkon në mendje.
Ato që do të mbeten ndërkohë gjatë të rrënjosura në memorien kolektive, janë imazhe tragjike si kjo video e një vogëlushi 3 vjeçar të bllokuar nën rrënoja, të cilit ekipet e shpëtimit mundohen t’i japin ujë përmes kapakut të një shisheje, teksa vijojnë punën për nxjerrjen e tij e për ta shpëtuar nga kthetrat e vdekjes, një mision që në fund, fatmirësisht, u mbyll me sukses.
Anekënd botës jehon sakaq dënesa e dhimbshme e Samer Al-Saraqbit nga qyteti verior sirian i Xhindiresit, i cili humbi 12 pjestarë të familjes në këtë fatkeqësi.
“Jemi të shkatërruar krejtësisht, ne s’ka kush të na shpëtojë”, thotë burri mes lotësh teksa shtrëngon në krahë trupin e fëmijës së tij të pajetë.
Shpesh, edhe thjesht me duar, banorët përpiqen t’i nxjerrin vetë njerëzit nga rrënojat.
“I dëgjojmë zërat e tyre, e kuptojmë që janë gjallë, po përpiqemi por s’kemi sesi t’i nxjerrim. Nuk kemi mjete, nuk kemi asnjë lloj kapaciteti këtu. I bëjmë thirrje çdo vendi që të mundet, bëjmë thirrje për hir të njerëzve këtu, na ndihmoni. Nëse keni ndërgjegje, na ndihmoni”, tha një banor.
Me spitalet e mbushur plot, shumë të lënduarve ndihma e parë u jepet në rrugë apo në automjete. Lufta civile shumëvjecare e ka lënë Sirinë pa kapacitetet e nevojshme për të menaxhuar katastrofa të mëdha, ndërsa apelet për ndihmë nga perëndimi bëhen gjithmonë e më të dëshpëruara, aq më tepër që tërmeti në këtë pjesë të kufirit goditi më shumë pikërisht ata njerëz, të cilët edhe më parë jetonin në kushtet e një varfërie të thellë.