Nga Anila Hoxha
Nuk do isha në asnjë çast e tunduar, përderisa sa herë flitet për lojërat e fatit, bixhozin dhe kazinotë më kujtohet fati i një të njohure. Një grua ekselente, e diplomuar në Itali, që në muajin e nëntë të shtatzanisë gjeti në krevat një letër lamtumirë nga i shoqi.
Nga një burrë i suksesshëm, ai përfundoi në një kumarxhi që la çdo gjë atë kohë, madje zeroi me mashtrim dhe llogarinë bankare, që gruaja e kishte hapur dhe po mblidhte para veçmas për të blerë krevatin e të bijës.
E për t’i dhënë lajmin se edhe paratë e fëmijës së palindur i pat lënë në bixhoz, ky burrë e njoftonte se ishte aq i keq sa nuk meritonte as vajzën që do lindte dhe as dashurinë e saj, ndaj po shkonte t’i jepte fund jetës.
E kam lexuar atë letër dhjetëra herë atë ditë, me një grua që nuk dinte nëse ishte apo jo gjallë partneri i saj, me një grua që nuk po e kuptonte se ky ishte mashtrimi i radhës derisa ai i hapi telefonin dhe sërish i kërkoi falje duke u përgjëruar.
Pas këtij rasti, sa herë dëgjoj diçka të tillë, kam frikë dhe trishtohem për këdo që ngec aty.
Në një nga çastet e saj të zbrazjes së mërzisë më pati thënë një herë se ai pat shitur çdo gjë që kthehej në para. Madje edhe unazën e martesës. I kishte bërë kala borxhet dhe shpikte armiqtë e sëmundjes të pashërueshme.
Tek kujtoj këtë gjë, vajza që pres kalon si pa me vënë re dhe më bën me shenjë të vazhdoj në distancë pas saj. Ajo ka punuar në të njëjtën kazino me 22- vjeçaren keniane Joyn, ( Xhoin), që erdhi mbas shoqeve të saj dhe u punësua si krupiere.
Pas luftës në koma, vdekja e saj, vazhdon të prodhojë dhjetëra pista, por asnjë autor.
Shoqet e Xhoit, njëra prej të cilave u largua dhe shfaqet intesive në Instagram këmbëngulin për emrin e një mashkulli xheloz. Policia vrapon sa në prokurori e sa në gjykatë, prej nga ku siguron kontrolle banesash, prej nga ku nuk gjendet asgjë.
Përgjimet shfaqin miq e të njohur të shqetësuar. Por asnjë emër që do t’i drejtohej gishti me prova!
Në kazinonë në fjalë lojtarët po pakësohen. Kazinotë e tjera në kryeqytet po përthithin me ritëm të lartë lojtarët, VIP-at u larguan prej andej, apo dhe ata të vegjlit domethënë ata që humbasin pak para e lënë pengje gjëra të vogla si telefonin, orën, varësen.
“Puna që bënte Xhoi si krupiere është më e vështira, sepse e ke lojtarin përballë. Ai humbet, ai të shan, ti duhet të ruash qetësinë- nis rrëfimin vajza e kazinosë. Krupieri punon 20 minuta, me pas bën 30 minuta pushim.
Mundësitë që Xhoi të ketë krijuar një histori me një lojtar janë të pakta. Sepse lojtari e ka mendjen tek paratë, jo tek vajzat. Dhe pse na kanë thënë që nuk duhet, nuk lejohet të krijojmë histori ne e dimë se edhe bukuria jonë nevojitet për t’i futur në kllapë. Por lojtaret e përsëris e kanë mendjen tek paratë. Na kanë trajnuar, ne e dimë nga eksperienca se edhe kur lojtari që është prioriteti ynë, acarohet, shan me fjalët më banale mbasi po humbet, ne duhet të ruajmë qetësinë. Duhet të qeshim, të jemi të qeta e tu ofrojmë shans që ta provojnë sërish”, shprehet krupierja shqiptare.
Vajzat e kazinove si Xhoi, që vishte pantallona dhe një këmishë, qe te dyja pjese te uniformes si krupiere mbas 20 minutave bëjnë 30 minuta pushim. Derisa mbarojnë turnin tete orësh.
Ne dhomën e pushimit, aty ato flasin me njëra- tjetrën, me një anglishte në koinfidencë përshkruajnë klientët, biznesmenë, apo vipa. Por asnjë emër nuk duhet të dalë prej andej. Kategorikisht jo.
Ato flasin anglisht në ato çaste dhe aty njohin njëra-tjetrën, se kjo është një punë si çdo punë edhe kur kanë përpara dikë që falimenton brenda pak kohe.
Ndonjëri flet anglisht në të rrallë. Megjithëse edhe disa nga ata lojtarë kërkojnë më tepër vajza që flasin shqip, mbasi nuk kuptojnë asgjë në anglisht.
Disa janë të ankthshëm.
Disa të vrazhdë.
Disa përdorues kokaine.
“Njëherë pastruesja e kazinosë erdhi mes nesh duke qarë. Kishte qenë duke pastruar banjën dhe fshiu pluhurin, që kishte qenë drogë e një lojtari, i cili sa ktheu kurrizin e pastaj pa banakun e tualetit të pastruar. Ajo e shkreta erdhi duke qarë. Na erdhi keq”, kujton e reja.
Po Xhoi i them, çfarë bënte?
“Krupieren”, thotë. “Disa nga ne ishin të trajnuara të dallonin lojtarët me para, nga ata që me një klik harxhojnë miliona. Se merr dot me mend sa para hidhen në një kazino”, thotë.
“Xhoi”, shton me tej, “ishte natyrë e tërhequr”. “Vishej shumë bukur dhe e mbanim si vajzën me sharm. Nuk tregonte asgjë për jetën e saj, megjithëse ne e dinim se kompania e huaj e kishte sjellë këtu së bashku me shoqet. I paguante hostelin dhe transportin”.
Si ështe të punosh në kazino?, pyes.
“Jeta në kazino është e zymtë për lojtarët”, përsërit nëpër dhëmbë. “Duket me adrelinë, por është e zymtë për ta. “Slot attendand”, janë ca vajza të tjera që janë të trajnuara për të futur në kllapë ata me para. Janë në çdo kazino. Në kazino nuk ka orë, na kanë thënë që s`duhet të mbajmë orë, sepse lojtari nuk duhet ta kuptojë kohën që ikën. Në kazino nuk ka dritare. Ska ditë . Nuk ka natë. Ka vetëm njerëz që duhet të lënë sa më shumë para. Në karrierën time, një lojtar qëndroi tre ditë i mbërthyer nga loja. Kati i parë është apex. Dhe i dyti po ashtu. I treti janë live. Aty ku punonte edhe Xhoi. Punojmë tre turne, në kazino nuk ka ditë pushim. Pastaj ka dhe kaziono prive, janë ata që luajnë dhe duan që të mbeten sekret”, thotë e reja.
Çfarë ndodhi kur mësuat për Xhoin e pyes.
“Mes nesh doli zëri që e kishin përdhunuar. Që kishte udhëtuar në Jug të vendit pak dite përpara se të gjendej e flakur nga banesa. Që shoqet e saj e dinin me kë shoqërohej. Pastaj erdhi policia dhe kanë pyetur e shoqëruar çdo kënd. Pak nga pak klientët po rrallohen”.