Për shkak të situatës politike e ekonomike, çdo ditë e më shumë me qindra-mijëra shqiptarë po largohen nga vendi ynë. Shpopullimi është kthyer në një fenomen shqetësues pasi shifrat janë paksa të frikshme.
Ky emigrim masiv i shqiptarëve është bërë shkak që sektorë të ndryshëm të ekonomisë të përballen me mungesën e forcës punëtore.
Edhe ndërtimi, një ndër sektorët kryesorë të ekonomisë, është prekur nga mungesa e shqiptarëve dhe zgjidhja e vetme janë shtetasit e huaj nga Azia dhe Afrika.
Gurshern Sin është një 25-vjeçar i cili ka ardhur nga India për të punuar në Shqipëri. Ai prej gjashtë mujash punon në Shqipëri.
Familja ime jeton në Indi, unë punoj këtu për një të ardhme më të mirë. Shqipëria është një vend në zhvillim dhe jep mundësi punësimi edhe për vende të tjera. E vlerësoj shumë Shqipërinë dhe po ashtu njerëzit, janë shumë të sjellshëm.
Por ai nuk është indiani i vetëm që punon në Shqipëri. Bashkatdhetari i tij, Pradeep Kumar thotë:
India është një vend me shumë popullsi dhe është vështirë të gjesh punë, kështu që erdhëm këtu për të fituar para.
Përfaqësuesit e Shoqatave të Ndërtuesve thonë se për sa kohë ndërtimet po shtohen, boshllëqet e fuqisë punëtore bëhen edhe më të dukshme. Sipas tyre tani ka mungesa të shumta për hidraulikë, për elektricistë dhe shtrues pllakash.
Nëse shpopullimi vazhdon me këto ritme, vendi ynë do të mbetet në duart e indianëve, pakistanezëve e afrikanëve.