Janë publikuar emrat e 5 shqiptarëve, 4 prej të cilëve me lidhje familjare me njëri-tjetrin, të arrestuar nga policia greke në bashkëpunim me DEA-n amerikane pas një operacioni ku u sekuestruan 585 kg kokainë në Selanik.
Raportohet se kreu i grupit, i arrestuar tashmë, është Arjan Xhafaj, 50 vjeç nga Cakrani i Fierit dhe bashkë me të është arrestuar edhe bashkëshortja, Lutmira Xhafaj 42 vjeç, pronare e një bar-kafe në Cakran.
Operacioni u zhvillua dje rreth orës 17.40, kur policia greke fillimisht ka ndaluar në Selanik një automjet i cili rezultonte i marrë me qira, drejtues i të cilit ishte 21-vjeçari nga Cakrani i Fierit, Klevis Muskaj. Në mjetin e tij policia greke sekuestroi 239 pako me 280 kg 758 gram kokainë. 10 minuta më pas, është tentuar të ndalohet një tjetër mjet në zonën e “Neous Epibates”.
Drejtuesi i mjetit, në tentativë për t’u larguar, përplasi një mjet policia dhe më pas u përplas me rrethimin e një shkolle. Ai u identifikua si Avelino Feimi, 33 vjec, nga Vlora. Dy drejtuesit e mjeteve, rezultojnë nipat e Arjan Xhafajt.
Policia greke vijoi me kontrollin në banesën e Xhafajt, ku u sekuestruan 23 pako me 26 kg 701 gram kokainë, 1 dedektor metalesh, 12 çanta IKEA, 1 prerës metalik, 1 pako doreza njëpërdorimshe, 1 palë gërshërë profesionale.Brenda dy mjeteve dhe në një banesë e Arjan Xhafajt, autoritetet greke sekuestruan 500 pako me 585 kg e 208 gram kokainë, 7440 euro, 7 celularë, detektor metalik dhe objekte të tjera. Në banesë veç tij dhe bashkëshortes, u gjet dhe u arrestua edhe Ilirian Baraj, 35 vjeç nga Fieri, me shtetësi greke
Kreu i grupit është Arjan Xhafaj, i cili nga informacionet e DEA-s trafikonte kokainë nga Amerika Latine për shpërndarje në Greqi dhe Europë.