Sonila Kruja përfaqësuesja e hotelit ‘Chicago’ në qendër të Shkodrës ku ndodhi helmimi i tre personave pasi konusmuan ujë, ka deklaruar se nga ana e stafit restorantit nuk kishte pasur asnjë lloj neglizhence.
Ajo tha se prej vitesh kishin kontratë me kompaninë që tregtonte ujin dhe se ky ishte rasti i parë që diçka e tillë kishte ndodhur. Më tej, Kruja shtoi se për shkak se kamarieri nuk e besonte diçka të tillë ,edhe ai vetë ishte helmuar.
“Kamarieri që hapi shishen pranë klientëve nuk e ka besuar pasi ky ujë serviret nga lokali ynë prej vitesh dhe nuk ka pasur asnjë lloj problemi. Kamarieri ka konsumuar ujin që pinë klientët dhe më pas edhe ai shfaqi shenja helmimi. Ne kemi njoftuar organet kompetente për zbardhjen e ngjarjes dhe kemi dorëzuar edhe të gjitha kamerat. Jemi të hapur ndaj të gjithë organeve ligjzbatuese për çdo kërkesë. Theksojmë për të gjithë klientët se nga ana e stafit tonë nuk ka patur asnjë lloj neglizhimi”- u shpreh Kruja.
Uji është i një prej kompanive më të njohura në treg, që dominon tregun e shpërndarjes për familjet dhe biznesin.
Por pavarësisht se ngjarja është në kufijtë e të pabesueshmes, ku Dosja mësoi se dy të prekurit e parë ishin nënë e bir e më pas kamarieri, asnjë masë nuk është marrë deri më tani nga autoritetet për kompaninë e ujit. Hotel Chicago që ndodhet në qendër të Shkodrës është mbyllur e po ashtu edhe lokali ku ndodhi ngjarja. Por pse jo kompania e ujit?