Vitet e fundit në vendin tonë është ulur ndjeshë mosha për sëmundjet kardiovaskulare.Nëse më parë fëmijët sillnin në spital prindërit e tyre me atak ne zemër sot po ndodh e kundërta. Mjekët kardiologë ngrenë alarmin se është ulur ndjeshëm mosha e personave që vijnë në spital me një infarkt të miokardit. Sipas tyre mënyra e jetesës dhe stresi psikologjik janë faktorët kryesorë.
Nëse dyshoni se mund të keni probleme me zemrën pasi keni simptoma të tilla si lodhja, marrja e frymës, rrahjet e shpeshta etj, bëni këtë test të thjeshtë në shtëpi. Ajo që duhet të bëni është të monitoroni veten teksa ngjisni shkallët.
Njerëzit nën moshën 40 vjeç duhet të jenë në gjendje të ngjiten tre kate pa asnjë problem, sipas kardiologëve. Megjithatë, nëse mendoni se duhet të ndaloni, nëse po gulçoni shumë dhe e kuptoni se ju merr fryma teksa po ngjisni shkallët, është koha të kujdeseni për shëndetin tuaj.“Nëse zemra nuk mund të pompojë mjaftueshëm gjak të oksigjenuar, ju ndiheni të lodhur dhe të plogësht”, shpjegojnë ekspertët. Në këtë rast, është e rëndësishme të shkoni te mjeku për një ekzaminim dhe t’i përkushtoheni forcimit të muskujve të zemrës. Sigurohuni që të keni një peshë të shëndetshme.
Gjithashtu reduktoni kripën, alkoolin dhe sheqerin. Simptomat që tregojnë një atak në zemër njihen si: dhimbje të forta dhe të papritura në krah, gjoks ose shpinë, të përziera ose dhimbje stomaku, djersë të ftohta dhe gulçim. Shenjat e arrestit kardiak mund të jenë edhe kolla e vazhdueshme, pulsi i shpejtë ose i çrregullt, si dhe ënjtje në këmbë dhe në bark.