Nga studentja në Qyteti Studenti e deri tek Joey Ayoko, këto janë vrasjet më misterioze të vajzave në Shqipëri

Që nga historia tragjike e kamerieres Eva Visha deri tek zhdukja e Irena Selit. Historitë komplekse të dashurive dhe marrëdhënieve delikate të biznesit.

Tiranë – Që prej vitit 1992 në Shqipëri janë regjistruar me dhjetëra vrasje misterioze të femrave. Pjesa dërrmuese e tyre (nëse i referohemi statistikave policore) kanë ndodhur për shkak të gjendjes së vështirë ekonomike dhe xhelozive. Ndër këto raste veçohen vrasjet dhe zhdukja e disa prej tyre që për muaj e muaj me radhë u bënë objekt publik në faqet e të gjitha gazetave duke nxjerrë në pah çdo ditë e më shumë, jo vetëm hetimet mbi autorët por edhe motivet shpesh herë “rozë” që çuan në këto vrasje ndër më të sofistikuarat dhe të mbuluara me shumë mister.

Eva Visha

Gjendet e vrarë Eva Visha, në rrugën Tiranë Elbasan, e qëlluar me pistoletë në kokë. Ajo kishte njohje me shumë personazhe “VIP”-a të kohës, ndërsa pas 8 vitesh u identifikua dhe u arrestua në Itali vrasësi i saj, Albenc Ago, i cili u ekstradua një vit pas.

Vrasja e parë e bujshme e një femre është regjistruar në atë që u quajt çështja “Juna” Ka qenë fundi i majit ‘97, kur në Shqipëri kishin filluar trazirat, dita kur Eva Visha, nëna e këngëtares së njohur Elsa Lila, është gjetur e pajetë nga kalimtarë të rastësishëm në aksin rrugor Tiranë-Elbasan, në Qafë Kërrabë ndërsa nga këqyrja e viktimës dhe ekspertizës mjeko-ligjore të kryera atëherë, ka rezultuar që ajo të ishte goditur me plumb në kokë. Ajo punonte si kameriere në restorantin “Juna”.

Ndërkaq, autori i ngjarjes është larguar pa u vënë re në drejtim të paditur, duke mbetur enigmë për afro tetë vjet. Burimet thonë se nga rifillimi i hetimeve në bazë të një dëshmie, është arritur në një emër konkret të akuzuar për autorësinë, Albenc Ago, i cili menjëherë u shpall në kërkim ndërkombëtar. Nuk vonoi shumë kohë pas evidentimit të tij si autor dhe ai u arrestua në Itali e më pas u ekstradua. Në bazë të hetimeve të kryera nga grupi hetimor dhe nga pyetjet e familjarëve të Eva Vishës, ka rezultuar se viktima në vitin 1997 ka qenë e punësuar si kameriere në lokalin “Juna” në Tiranë. Viktima kishte miqësi me autorin e vrasjes, Albenc Ago, i cili me datën 23 maj 1997, ora 16:30, me mjetin e tij fuoristradë, me targa TR, ka shkuar ne shkollën “Hoxha Tahsim” ku ka marrë 35-vjeçaren. Sipas dëshmitarëve 35-vjeçarja ka qenë e veshur sportive pasi në ato momente gjendej në palestër. Vishaj kishte miqësi dhe shoqëri me njerëz të njohur dhe prokuroria hetoi rreth lidhjeve të saj që mund të kishin sjellë edhe krimin. Nëna e këngëtares Elsa Lila nuk arriti të mbijetonte, ndërsa hetimet u mbyllën shpejt dhe u rihapën vetëm pas 9 vjetësh. Albenc Ago, deri në fund të vitit 1997, ka punuar si shofer në Partinë Socialiste dhe i njohur për miqësitë me ish drejtues të kësaj partie.

Studentja Kozeta Hyseni

Shkurt 1999. U gjet e masakruar pranë Kinoklubit të Qytetit Studenti, 21-vjeçareja vlonjate Kozeta Hyesni. Vajza e ish-prokurorit të Vlorës në atë kohë, e cila studionte në vitin e dytë të degës Gjuhë-Letërsi pranë Fakultetit të Histori Filologjisë në Tiranë. Çështja ende nuk është zbardhur

Një tjetër ekzekutimi bujshëm ka ndodhur vite më parë, ku më 19 shkurt të vitit 1999, u gjet e masakruar pranë Kinoklubit të Qytetit Studenti, 21-vjeçareja vlonjate Kozeta Hyesni. Vajza e ish-prokurorit të Vlorës në atë kohë, e cila studionte në vitin e dytë të degës Gjuhë-Letërsi pranë Fakultetit të Histori Filologjisë në Tiranë. Ajo u gjet nga persona të rastësishëm mëngjesin e 19 shkurtit. Nga hetimet e kryera është konkluduar se peroni që e ka thirrur ka qenë i njohur i saj. Kjo pasi 21-vjeçareja Hyseni ka dalë dhe ka hipur në autoveturën e tij me të cilën janë larguar jashtë qytetit studenti. Tjetër fakt që tregon njohjen e viktimës me atë të autorit të vrasjes, ka qenë edhe veshja e saj. Kjo, pasi Kozeta ishte e veshur me teshat që mbante në dhomë gjë që tregon se ajo ka dalë të takohet me një të njohur. Kjo vrasje është ende e pazbardhur. Hetuesit renditin dy momente që sipas tyre kanë penguar zbulimin e plotë të kësaj vrasjeje. Momenti i parë (hipotetik) është dyshimi se autori i vrasjes së studentes Hyseni të ketë ndërruar jetë, dhe momenti i dytë është fakti se shoqja e dhomës së Kozetës, i fundit person që i ka kërkuar të dalë jashtë godinës, ende nuk ka dëshmuar për hetuesit. Ajo është larguar drejt Gjermanisë, vetëm dy ditë pasi kishte ndodhur krimi. Ky fakt është renditur edhe në dosjen përkatëse. Pas ikjes në Gjermani, shoqja e ngushtë e studentes Hyseni është shpërngulur në Belgjikë, ku edhe ka marrë nënshtetësinë belge. Një enigmë tjetër për hetuesit janë edhe dëshmitë e shoqeve të tjera të studentes. Ato janë marrë në pyetje, por mes dëshmive të dhëna ka shumë kontradikta, sidomos në lidhje me itinerarin e lëvizjeve të fundit të Kozetës.

Gruaja e komisarit te Tiranes, Erjeta Avdyli

Erjeta Vadyli, nënë e dy fëmijëve u shpall e zhdukur më 30 mars të vitit 2000 dhe trupi i saj i pajetë u gjet më 14 maj të po këtij viti. Prindërit e saj akuzuan dhëndrin Dritan Avdyli si autor të ngjarjes. Ai u akuzua edhe nga prokuroria, por u shpall i pafajshëm dhe u dëmshpërblye për kohën që kishte kaluar në burg.

Një vit pas vrasjes së studentes Hyseni, zhdukja(më pas trupi i saj u gjet) e Erjeta Avdylit, bashkëshortes së ish-shefit të Komisariatit nr. 1 në Tiranë, tronditi gjithë opinionin publik. Ajo u gjet e groposur në fshatin Romanat të Durrësit. Burime të prokurorisë dhe të policisë, thonë se autori i vrasjes, e ka marrë fillimisht në makinë dhe pasi e ka ekzekutuar e ka groposur aty. Fakti që autori fillimisht e ka marrë në makinë Erjetën ka ngritur dyshimet se ata të dy njiheshin me njëri-tjetrin. Erjeta Vadyli, nënë e dy fëmijëve u konsiderua e zhdukur më 30 mars të vitit 2000 dhe u gjet më 14 maj të po këtij viti. Prindërit e saj akuzuan dhëndrin Dritan Avdyli si autor të ngjarjes. Madje ky i fundit u akuzua edhe nga prokuroria, por u shpall i pafajshëm dhe u dëmshpërblye për kohën që kishte kaluar në burg. Ende pas pesë vitesh kjo vrasje mbetet pa autor, ndonëse është rifilluar disa herë hetimi me kërkesë të prindërve. Enes Sokoli, babai i Erjeta Avdylit, në një reagim të tijinpër “Albania”-n disa muaj më parë është shprehur thellësisht i revoltuar lidhur me neglizhencën dhe mospërfilljen vrastare që gjykata u ka bërë fakteve dhe provave që tregonin qartazi se Erjeta Avdyli, pak kohë para se të humbte jetën, kishte jetuar tmerrin dhe kërcënimet nga ish-bashkëshorti i saj. “Erjetën e vranë barbarisht dhe e hodhën në një kanal. Policia dhe prokuroria ende nuk e kanë ‘gjetur’ autorin. Por ishte e thënë që Erjetën ta vrisnin edhe pas vdekjes. Familja e saj bashkëshortore e braktisi kufomën e saj në morg dhe nuk e varrosi. Pra e vranë përsëri. Mbas pak kohësh, nga burgu, ish-bashkëshorti i saj hodhi baltë mbi moralin e Erjetës, e cila nuk jetonte e nuk mund të mbrohej. Por përsëri qenka e thënë që Erjeta të vritet dhe e vdekur. ‘Privilegjin’ e vrasjes kësaj here e ka gjyqtari Artur Kalaja, së bashku me dy kolegët e tij. Ky zotëri duhej të vërtetonte se Erjeta, sa ishte gjallë dhe pas vdekjes, është dhunuar nga bashkëshorti. Nga gjykimi i provave, zoti Kalaja, në kundërshtim me vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë, konkludoi se Erjeta nuk është dhunuar. Unë mendoj se ky është një vendim skandaloz. Mendoj se është një vendim që fyen, poshtëron dhe nxin Drejtësinë shqiptare”, – është shprehur Enes Sokoli, i ati i së ndjerës Erjeta Avdyli, vdekja e së cilës tetë vite më parë mbushi faqet e para të të gjitha gazetave.

Zhdukja e Irena Selit

Dhjetor 2004. Zhduket Irena Seli, gruaja e Agim Mushos, pronarit të ish-kompleksit “BRUNO”. Ngjarja denoncohet nga i shoqi në policinë e Tiranës. Pak ditë më pas edhe i vëllai i Irenës denoncon në policinë e Durrësit zhdukjen ndërsa akuzuan ish bashkëshortin e saj për zhdukjen e saj.

Në vitin 2004, zhdukja e Irena Selit bashkëshortes së një biznesmeni të njohur në Tiranë solli sërish në vëmendje “makthin” e ekzekutimeve mafioze dhe plot xhelozi të femrave. Por rasti i Irena Selit ndryshon nga të tjerët, pasi ajo ende nuk është gjetur as e gjallë e as e vdekur, ndërsa fëmijët e saj kanë dalë hapur në mbrojtje të të atit të tyre, Agim Musho, dhe pafajësisë së tij. Emri i Irena është shënuar për herë të fundit në regjistrat e policisë së portit të Triestes. Irena Seli u zhduk në mënyrë misterioze në portin e Durrësit, mbrëmjen e 16 dhjetorit 2004. Gruaja udhëtoi me bashkëshortin e saj, biznesmenin Agim Musho me tragetin e linjës Trieste-Durrës. Çifti ishte nisur nga Gjermania më 14 dhjetor 2004 dhe deri në Itali kishin udhëtuar me makinën e tyre private. Një ditë më vonë ishin ngjitur në traget për të mbërritur në Shqipëri për festat e fundvitit. Por, ndërsa gruaja bionde ishte parë nga pasagjerët teksa ngjitej në traget, asnjë prej tyre nuk mundi të japë ndonjë detaj sesi ajo u zhduk rrugës. Të pyetur nga Prokuroria, pasagjerët deklaruan se gjatë udhëtimit nuk kishin konstatuar asgjë të pazakontë. Zhdukja e Irena Selit, për hetuesit e çështjes “përkthehet” në një sërë pistash dhe versionesh, ndërsa deri më sot nuk është përjashtuar apo vërtetuar asnjëra prej tyre, ndaj edhe dyshimet shtrihen që nga arratisja e Irenës nga jeta aspak e qetë bashkëshortore e deri tek një vrasje e mundshme e 40-vjeçares.

Dy shoqet Nertila Osmani dhe Sonila Kryeziu

Ato u zhdukën në vitin 2004 dhe besohet se janë ekzekutuar dhe groposur në bregdetin e Divjakës nga autori që tashmë nuk jeton më dhe ushtarët e tij. Disa muaj më pare, ne 2023 Prokuroria e Tiranës hapi një hetim të zgjeruar, me qëllim zbardhjen e plotë të ngjarjes makabre dhe të paktën zbulimin e trupave të viktimave, që familjarët të kenë një varr ku edhe t’i qajnë të dashurit e tyre. Dy te rejat punonin në Tiranë në kohën e krimit, teksa njëra prej tyre ishte e martuar me një personazh të fortë të asaj kohe, Arben Hoxha, i cilësuar si kreu i një grupi në Lushnjë dhe i vrarë një vit pas zhdukjes së dy shoqeve.  Në krim besohet se kanë marrë pjesë të paktën 5 persona. Autori i ekzekutimit që besohet se ka ndodhur në një hotel në Lushnjë është pikërisht Arben Hoxha, teksa më tej trupat janë transportuar dhe groposur në dunat e Divjakës, pranë kabinave të plazhit, po për shkak të erozionit dhe baticë-zbaticave të detit, mund të ketë ndryshime të forta gjeografike. Katër persona të tjerë kanë shërbyer si ndihmësa, nga të cilët mësohet se dy nuk jetojnë më. Dy të mbeturit kanë dijeni se ku janë groposur trupat dhe mund të ndihmojnë hetuesit. Arben Hoxha ishte bashkëshorti i Nertila Osmanit dhe kishte një vajzë vetëm një vjeçe në kohën e ngjarjes. Për shkak të konflikteve dyshohet se Nertila kërkonte të largohej dhe shoqja e saj duket se e ka ndihmuar. Por Hoxha i ka gjetur dhe në grindje e sipër i ka ekzekutuar dhe fshehur kufomat. Dëshmitë e reja, sikurse edhe ajo e djeshmja nga Anglia nga një tjetër grua që kishte dijeni, por s’u identifikua, përforcojnë faktin se dy shoqet janë vrarë e groposur në vitin 2004. Vajza e intervistuar pak muaj me pare tha se ishte e dhimbshme te mesonte se i ati i kishte vrare te emen.

Vrasja e Eglantina Bucit nga i ati dhe vellai

“Eglantina largohet nga famija në vitin 2008 me një djalë të cilin e kishte dhe komshi. Pretendohet se ka marrë rreth 12 milionë Lekë të vjetra dhe është larguar. Marrëdhëniet mes tyre nuk shkuan siç duhet. Ata ishin shkëputur. Me të vetmin njeri që mbante kontakte Eglantina, ishte xhaxhai, sepse ai e konsideronte si vajzë të afërt. Shkëlzën Buci vendos të përdorë si karrem mikun e tij më të ngushtë. I thotë do të japë numrin. Vajza kishte shkuar të merrte pjesë në një videoklip të një këngëtari tallavaje dhe babai ishte rrahur me këngëtarin. I është dhënë numri i telefonit nga Shkëlzeni shokut të tij më të ngushtë. Dhe ai flet. Shkëlzën Buci blen një unazë dhe ja jep karremit. Ai shkon i propozon. Kur Eglantina me telefonatat e saj po bëhej shqetësuese për famljen time, unë vendosa të shkoja t’i thoja të vërtetën, thotë dëshmitari. Pihet një kafe mes të gjithëve bashkë. Eglantina besoi që më në fund gjeti rehati në familje. Personi i penduar i jep Shkëlzen Bucit njërin nga makinat që kishte në përdorim. Ne u nisëm të tre, unë, Shkëlzeni dhe Eglantina. Eglantina e pyeti Shkëlzenin ku po shkon. Kur ai mori në drejtim të Malit me Gropa, ajo filloi të qante dhe të dridhej. Në momentin që e nxorri me forcë nga makina ajo filloi të bërtiste. E qëlloi me armë në fytyrë dhe më pas e qëlloi herë të tjera”. Babe e bir u denuan me 50 vite burg kete vit.

Vrasja misterioze e kenianes Joy

Joy u shtrua në spitalin e Traumës më datë 14 gusht 2022, ajo u gjet pa ndjenja, e dhunuar poshtë ballkonit të shtëpisë së saj.

22-vjeçarja i mbijetoi fillimisht plagëve të marra, por një dëmtim në tru e la në gjendje vegjetative. E reja nuk i mbijetoi dot dëmtimeve të marra duke ndërruar jetë 6 muaj pas ngjarjes së rëndë. 

Kujtojmë se mbrëmjen e 13 gushtit, Joy Ayoko, ka qënë e vetme në banesë, ndërsa në krevatin e saj policia, gjeti telefonin.Keniania Joy Ayoko ndodhej në Shqipëri pasi ishte pjesë e stafit të “Arena Kazino”.

Vajzat nga Georgia që punojnë me Joyin në kazino, shtëpia e së cilave është pranë me të Joyt kishin dëgjuar një zhurmë frymëmarrjeje të vështirë dhe rënkim. Njëra prej vajzave nga Georgia ishte në dritare dhe ajo i tha shoqes së saj “eja dhe dëgjoje këtë zhurmë”. Ajo i kishte thënë se atje mund të jetë vajza afrikane që ka humbur ditën e djeshme, të cilën po e kërkojnë. Ato panë me kujdes nga dritarja dhe dalluan Joy-in, sakaq telefonuan menjëherë ambulancën. Gjithashtu, telefonuan menaxherin.

Se çfarë ka ndodhur mesnatën e 13 gushtit me 21- vjeçaren keniane Joy Aoko është ende e pasqaruar, madje Policia nuk e raportoi ngjarjen. Ajo u bë publike pas 3 muajsh. Por, çfarë kishte ndodhur me Joy-n përpara se të ndodhte ngjarja, ku kishte qenë Joy dhe a kishte pasur ajo probleme, të cilat ia kishte treguar nënës së saj? Nëna e saj, Ruth Abongo tregon se çfarë kishte ndodhur me Joy-n gjithë javën deri në 13 gusht. “Kur nuk ishte në punë Joy dilte. Edhe gjatë asaj jave më kujtohet se ditën e hënë ajo kishte qenë në Durrës, ndërsa incidenti ka ndodhur të premten e po asaj jave. Ajo kishte shkuar në Durrës me një mik që ishte shoferi i tyre në kazino.

Me shoferin e kazinosë kishte shkuar në Durrës”, tha Ruth Abongo. Udhëtimin në Durrës 4 ditë para ngjarjes me shoferin shtetasin me iniciale R.B., Joy e ka publikuar edhe në rrjetet sociale, ku në video 22-vjeçarja shfaqet në makinë dhe në postim shkruan “Si përputhet ky tingull me situatën në video”, të cilën e shoqëron edhe me një këngë. Por çfarë ndodhi me Joyn atë ditë në Durrës, nëna e saj rrëfen të vërtetën siç ajo e di. “Atje shoferi nuk ishte treguar i mirë me të, sepse shoferi kishte qëndruar shumë afër. Ishte shumë ekspresiv njësoj sikur të ishin në një marrëdhënie. Ajo e kishte pyetur ‘përse po sillesh kështu, sepse unë nuk jam e dashura jote’. Ai kishte thënë se ‘unë po të mbroj’ dhe Xhoi i kishte thënë se ‘kjo nuk është e drejtë, unë jam e rritur’ dhe e di që më parë ky shoferi i kishte kërkuar Xhoit të kishin marrëdhënie, por Xhoi kishte refuzuar dhe i kishte thënë jo.

Ky shoferi nisi ta ndiqte nga pas për dy javë. Kur Xhoi e vuri re këtë u përball me të dhe i tha ‘përse po më ndjek mua? E kam vënë re që po më ndjek. Do të të raportoj në kompani’. Më pas shoferi i tha ‘jo, mos u shqetëso. Mos më raporto. Thjesht po mendoja se përse po më refuzon ftesën për të dalë me mua. Po të ndiqja për të kuptuar se cilin po takon që të pengon të takohesh me mua’. Ata ranë dakord që të mos hyjnë në një lidhje, por të mbeten miq. Në bazën e miqësisë, Xhoi pranoi ftesën për të shkuar në Durrës të hënën. Ata shkuan në Durrës dhe shoferi vazhdonte të shprehte ndjenjat e tij dhe Xhoi nuk e pëlqeu këtë.

Xhoi u zemërua në Durrës dhe i kërkoi që të ktheheshin. Kur u kthyen ata u zunë dhe Xhoi e bllokoi atë. Ajo i tha mjaft dhe nuk dua më miqësi me ty, sepse kjo është e tepërt. Kësaj here, Xhoi po komunikonte me një shoqe në Kenia ku po i tregonte për mënyrën se si kishte vepruar shoferi dhe se ajo nuk po ndihej e sigurt. Që të jem e sinqertë, kur ata u kthyen në shtëpi nga Durrësi shoferi i saj u fut menjëherë në dhomën e saj të gjumit dhe hoqi rrobat. Xhoi i tha ‘çfarë po bën? Ti vazhdon akoma me këtë sjellje, mjaft’ dhe shoferi i thotë ‘me kë po flet në telefon që mendon se është i rëndësishëm’. Kjo bëri që Xhoi të zemërohej dhe ta bllokonte numrin e telefonit të shoferit”, rrëfeu detajet nëna e Joy-t.

Sipas nënës së vajzës, shoferi kishte këmbëngulur që të kontaktonte sërish me Joy-n dhe kishte folur me shoqen e 22-vjeçares, Joy Brenda, një ditë pasi ata kishin qenë në Durrës.

“Të martën, Xhoi Brenda (shoqja e Xhoit), po shkonte për të punuar më duket dhe është me këtë shoferin në makinë. Ai i thotë Xhoi Brendas që shoqja jote më ka bllokuar në çdo aplikacion. Si mund ta kontaktoj atë? Dhe Xhoi Brenda i thotë ‘është mënyra jote ofensive. Në Kenia ne nuk i ndjekim vajzat në këtë mënyrë. Mënyra se si e ke trajtuar Xhoin nuk është e drejtë’. Ky është një konfirmim që shoferi u bllokua të hënën. Kështu, të mërkurën, të enjten, ndërsa të premten ky shofer nuk ishte në punë, ishte pushim. Instinkti më thotë se… nuk e di…

Ndoshta po flas shumë, por mendoj se ka më shumë pikëpyetje për shoferin. Ai është personi që kishte zemërim. Xhoi ishte shprehur se nuk ndihej e sigurt me këtë person”, rrëfeu nëna. Por, çfarë ndodhi pas së martës, nëna e Joy-t jashtë kamerës shprehet se vajza tjetër e saj e madhe i ka dërguar një mesazh Emilisë (kur Joy ishte në spital), duke i thënë përse ma vrave motrën sepse ajo të donte ty, ndërsa Emily i përgjigjet se nuk e ka vrarë ajo dhe i ka treguar se shoferi shtetasi me iniciale R.B. e ka nxjerrë atë për një xhiro në Durrës dhe i ka kërkuar çelësat e apartamentit të vajzave për t’i bërë Joy-t një surprizë dhe shprehet se shoferin dhe Joy-n i dinte si të lidhur.

Kur ia kërkuam këtë mesazh si provë nëna e Joy-t nuk e dha për arsye që ajo nuk i tregon, por vetëm hesht. Se sa i vërtetë është ky mesazh, autoritetet mund ta konfirmojnë, duke sekuestruar telefonin e Emily-t, pasi ka deklarata kontradiktore, sepse sipas mamasë së Joyt, Emily ndryshe nga vajza tjetër asaj i ka thënë se shoferi e ka marrë çelësin e apartamentit nga Joy, duke e fotokopjuar dhe mohon t’ia ketë dhënë ajo çelësin.

Kur e pyesim nënën se pse Emily nuk e tregon të vërtetën e gjithë historisë në polici ajo shprehet se e kanë udhëzuar të mos flasë. “Nga ato që më ka thënë, mendoj se ka të bëjë më shumë me udhëzimin. Kushdo që e ka udhëzuar për të mos folur ose për të treguar historinë. Ajo më tha se është udhëzuar nga një prej menaxherëve të kompanisë për të mos folur. Ajo më tha se arsyeja pse menaxheri e udhëzoi për të mos folur, dhe jo vetëm Emilinë, por çdokënd më të cilën Xhoi punonte, ishte që të mos flisnin për Xhoin, sepse po shndërrohej në shumë histori. Kolegët po flisnin gjëra të ndryshme”.

BISEDA MES EMILISË DHE MENAXHERIT

Për këtë arsye, ajo u udhëzua që të mos fliste për këtë me të tjerët. Nëna e Joy-t flet me rezerva për Emilinë dhe për mënyrën se si ajo veproi për të treguar ngjarjen dhe se ka hapur edhe dy telefonat e Joy-t. Kujtojmë faktin se shoqja e dhomës së Joy-t ishte ajo që bëri denoncimin në Polici për Joy-n dhe përkthyes i saj ishte shoferi shtetasi me iniciale R.B.

Menaxheri merr në telefon Emilinë në orën 14:30 të drekës dhe e pyet “Si je Emili? Xhoi nuk ka ardhur në punë”, dhe ajo i kthehet “Me sa shikoj nga krevati i saj, është e frikshme. Duket sikur diçka ka ndodhur. Xhoi nuk është në krevat dhe krevati është njësoj siç e gjeta në mëngjes. Unë ndihem e frikësuar. Dhe menaxheri i thotë, nëse diçka nuk shkon çfarë mund të jetë? Atëherë më prit mua sa të vij në shtëp”i. Emilia i thotë, jo mos hajde në shtëpi, më lër të vij te zyra, sepse jam e frikësuar dhe më pas kthehemi të dy në shtëpi. Emili shkon në kompani duke e lënë shtëpinë ashtu siç ishte dhe më pas kthehet në shtëpi me tre menaxherë.

Menaxherin që e kishte marrë në telefon, menaxherin e turnit dhe një tjetër menaxher. Pra, vijnë tre menaxherë dhe Emili. Ajo që nuk kuptoj. Emili i telefonoi Xhoi Brendës dhe menjëherë ose Emili, ose Xhoi Brenda i telefonuan shoferit, sepse sipas Emilisë, në kohen që ajo po kthehej në shtëpi ajo takoi shoferin në zyrë. Mes shumë shoferëve që kompania ka, pse ata i telefonuan këtij shoferi atë ditë. Xhoi Brenda i telefonoi shoferit, sepse nëse Emilia i kishte telefonuar Xhoi Brendës për ta pyetur nëse Xhoi ishte me të, sepse të dy telefonat e saj janë këtu dhe krevati është rrëmujë. Duket sikur ka pasur një luftë dhe diçka e keqe mund të ketë ndodhur.

Duke qenë se Xhoi Brenda e dinte për këtë shoferin, Xhoi Brenda i telefon shoferit dhe e pyet a është me Xhoin. A ke ndonjë informacion, sepse ajo nuk është në shtëpi. Më pas, Xhoi Brenda i jep Emilisë “password”-in për telefonat e Xhoit, sepse të dy telefonat e saj janë në krevat. Emilia nuk e dinte “password”-in, por Xhoi Brenda duke qenë shoqe e ngushtë me vajzën time e dinte kodin. Nuk e di, sepse Emilia nuk më tha për arsyet se përse ajo hapi telefonat e Xhoit.

Por, ajo kontrolloi të gjithë komunikimet që ishin në telefon. Këto janë disa arsye më shumë se përse ajo duhet të merret në pyetje. Në fillim Emilia më tha se e kishte marrë ajo në telefon shoferin duke e pyetur nëse ishte me Xhoin. Kur e pyeta Emilinë se përse e kishte marrë në telefon shoferin por kësaj here më tha që nuk e kishte marrë ajo në telefon shoferin. Ajo më pas e gjeti shoferin në zyrë dhe eventualisht ai u pezullua. Dy javë pezullim./Thealbaniantimes

Rreth thealbaniantimes

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *