Nga zhdukja e Taulant Malshit, plagosja e një vajze në hotel dhe droga, ja pistat ku po hetohet për vrasjen e Fatjon Dervishit

Policia po heton në disa pista për ekzekutimin e 38-vjeçarit, Fatjon Dervishi mesnatës së të martës në fshatin Katund në Sukth.

Viktima kishte pak ditë që ishte kthyer nga Holanda, ndaj nuk përjashtohen dyshimet se ishte i lidhur me trafikun e drogës, raporton gazetarja Klodiana Lala.

E shkuara e vëllit të tij, Fatbardh Dervishi alias Fatbardh Doda, gjithashtu është një nga pistat e hetimit, pasi emri i tij del në disa ngjarje kriminale.

Fatbardh Dervishi, i cili ndodhet në burg në Spanjë, dyshohet për plagosjen e një 23-vjeçareje në një hotel në Durrës, si dhe për zhdukjen e Tauland Malshit.

Ai është arrestuar në Spanjë nën akuzën e vjedhjes së automjeteve, falsifikimit të dokumenteve, armëmbajtjes pa leje, trafik droge, grup kriminal. Sipas mediave spanjolle, grupi i kryesuar nga ai, maskohej me uniformë policie dhe kryente gjithashtu grabitje të shtëpive që shërbenin si magazina droge.

Por veç këtyre, Dervishi akuzohet në Shqipëri se në 3 janar 2022, plagosi me armë në një hotel në autostradën Tiranë-Durrës 23-vjeçaren E. Koroveshi.

Ndërkohë disa ditë më vonë, në emisionin “Në Shënjestër” të gazetares Klodiana Lala në News 24, Dervishi u akuzua nga Liza Malshi, nëna e të zhdukurit në vitin 2018 në Spanjë Tauland Malshi, se kishte gisht në zhdukjen e këtij të fundit.

Nëna e të riut tregoi se ishte telefonuar nga shoku i tij Edmir Vlashi i cili i kishte thënë se më 25 gusht 2018, ishte telefonuar nga Fatbardh Doda dhe se Fatbardhi i kishte thënë Edmirit: “Mos e kërko më shokun tënd pasi unë kam kry punë me të dhe e kam hedhur në mes të detit në Malaga”.

Intervista

Emisioni “Në Shenjestër” publikoi për herë të parë detaje nga zhdukja pa gjurmë e Tauland Malshit në Spanjë. Personi i fundit që kishte kontakt me të ishte edhe miku i fëmijërisë Edmir Vlashi. Gjatë emisionit teksa ndodhet në arrati ai ka kërkuar të ndërhyjë për të dhënë versionin e tij.

Vlashi u shpreh se Taulandi ishte shoku i tij dhe zhdukjen e tij e ka denoncuar dhe ka komunikuar edhe me familjarët e tij.

“Kjo temë është hapur pas 4 vitesh. Duhej të hapej më herët, por nuk është hapur. Me Taulantin kam ardhur në Spanjë në gusht”.

Pse Tauland Malshi u ngjit në makinën e Fatbardhit?

“Unë me Taulantin kam ardh në Spanjë. Jam unë i pari që u jam vënë në dispozicion të familjes, i kam treguar ngjarje.

Jeni i gatshëm të përballeni me Fatbardh Dervishin dhe pse nuk i jepni fund arratisë?

Unë jam përballur. Unë e kam denoncuar këtë fakt. Policia spanjolle di çdo gjë.

Ku ndodhet Taulandi?
Nuk e di, duhet t’ia  bësh autoritetve spanjolle këtë pyetje. Landi është shoku im. Të mos thuhen dy gtjëra të shpifura siç po thuhen sonte.

A keni konflikte me vëllezërit e Prend Palucës?

Nuk kam asnjë konflikt. Unë nuk jam as i akuzuar, thonë se jam në arrati, unë nuk jam në arrati.Nuk i di se kush janë Palucët. Nuk i njoh, nuk kam pas problem. Jam denoncuar në policia nga familjarët e Palucajve.

A jeni i gatshëm që të përballeni me personin që keni akuzuar për zhdukjen e tij?

Përballem me këdo. Liza është nëne, dhimbjen që ka Liza se ka njeri.

Dëshmia e nënës

Zhdukja pa gjurmë e Tauland Malshit në Spanjë është një histori që mbart plot mistere, por edhe përfshin shumë personazhe të botës së krimit. Emisioni “Në shenjestër” publikoi dëshminë e nënës së të riut.

Djali i vetëm i Ndok dhe Liza Malshit u zhduk me 25 Gusht 2018, vetëm pak ditë pasi ai kishte mbërritur në shtetin spanjoll, bashkë me shokun e tij, Edmir Vlashi i cili po synonte të vriste Prend Palucën, në Kamëz, pasi kishte dështuar në dy atentate të mëparshme.
Nëna e të zhdukurit, Liza Malshi rrëfeu takimin e fundit me të birin.

Pyetje: Znj. Liza na tregoni takimin e fundit me djalin tuaj?

Djali im ka ikur me 21 gusht në orën 11 e gjysmë të natës, është nisur dhe që nga ajo orë nuk kam marrë vesh më për të. Asnjë fjalë, nuk kam kontaktuar unë me të. Pas pesë- gjashtë ditësh na ka marrë një shoku i tij në telefon, ka marrë kunatin tim në Angli dhe i ka thënë se si ishte puna. Ai i ka thënë: “Si e thu këtë fjalë, nuk është fjalë e mirë ajo që thua ti”. Ai tjetri i ka thënë: “Për mua ka marrë fund”. Atëherë na kanë thënë ne se çfarë kishte ndodhur, ne nuk kemi pas më çfarë me bë, ne jemi mërzitur, dihet ajo punë.

Pyetje: Po biseda e fundit pasi kishte kishte arritur në Spanjë?

Përgjigje: Asnjëherë, nuk kemi fol me të.

Pyetje: Kush ua dha lajmin që Taulandi ishte zhdukur?

Përgjigje: Edmir (Vlashi) Marku ka marrë në telefon kunatin tim në Angli, se kështu më ka thënë Fatbardh Dervishi, “ e kam vra, pre, fut në det”. Ai i ka thënë si i thu këto fjalë, si më thua për djalin e vëllait tim kështu.

Ngjarje që tronditi fort familjen Malshi.  Ku menjëherë sapo mësoi mbi gjëmën që u kishte rënë në shtëpi, Ndok Malshi u drejtua me një kallëzim në policinë e Lezhës.

Djali im Tauland Malshi, ka shkuar në Spanjë më datë 20.08.2018, për një periudhë qëndrimi tre mujore.

Gjatë kësaj kohe unë u telefonova nga shoku i djalit tim, i quajtur Edmir Vlashi, me qëndrim në Spanjë, i cili më tha se kishte humbur kontaktet me Taulandin. Djali ishte thirrur nga Fatbardh Doda, nga Sukthi i Durrësit, por me qëndrim në Spanjë. 

Më tej në dëshminë e tij për humbjen e djalit, Ndok Malshi tregoi edhe për telefonatën e zezë që mori nga Edmir Vlashi.  Vetëm pak ditë pasi ky i fundit i kishte njoftuar për zhdukjen e papritur të Taulandit. Ku tashmë i bënte të ditur për fundin tragjik të djalit të tij.

Më datë 30 Gusht 2018, unë u telefonova sërish nga Edmir Vlashi, i cili më tha se më 25 gusht 2018, ishte telefonuar nga Fatbardh Doda. Edmiri me tregoi se Fatbardhi i kishte thënë Edmirit: ‘Mos e kërko më shokun tënd pasi unë kam kry punë me të dhe e kam hedhur në mes të detit në Malaga’

Menjëherë sapo mori telefonatën e parë për zhdukjen e djalit, Ndok Malshi, udhëtoi tranzit drejt Spanjës.

Por udhëtimi i tij u ndal në Stamboll, pasi autoritetet vendase nuk e lejuan të vazhdojë më tej. Më 4 shtator 2018, 7 ditë pas zhdukjes së Tauland Malshit, në bazë të kallëzimit të bërë nga babai i tij, Prokuroria e Lezhës regjistroi procedimin penal të ‘Vrasjes me dashje’.  Ndërkohë që sipas grupit hetues, Ndok Malshi, deklaroi se Edmir Vlashi, u kishte thënë se kishte bërë kallëzim në Spanjë në lidhje me zhdukjen e shokut të tij. Një tjetër person që u pyet nga grupi hetues në lidhje me zhdukjen e Tauland Malshit, ishte edhe Denis Marku. Kushëri i parë me Malshin; sapo kishte mësuar mbi lajmin, kishte nxituar të shkonte menjëherë te shtëpia e xhaxhait të tij.

Më 29 Gusht 2018 mësova se xhaxhai im Ndok Malshi ishte nisur për në Spanjë, por e kishin kthyer në Stamboll.

Më datë 30 Gusht 2018 rreth orës 07.00 të mëngjesit u nisa për të shkuar në shtëpinë e xhaxhit tim, Ndok Malshi, i cili më kishte thënë se kishte marrë një telefonatë nga shoku i djalit të tij Edmir Vlashi, i cili i ishte shprehur se kishte marrë një mesazh nga Fatbardh Dervishi (Doda). Ky i fundit i kishte thënë se ai e kishte vrarë Tauland Malshin dhe e kishte hedhur në det.

Pasi mësoi këtë lajm nga xhaxhai i tij, Denis Marku lidhi menjëherë kontaktet me Edmir Vlashin. Ku, ky i fundit, i konfirmoi edhe njëherë vërtetësinë e informacionit.  Por pa i dhënë detaje të reja, se përse kishte ndodhur kjo ngjarje.

Tauland Malshi nuk ka patur konflikte as brenda dhe as jashtë vendit dhe nuk e di se cila është arsyeja e vërtetë e kësaj ngjarje. Në lidhje me ngjarjen, pasi mësoi për zhdukjen e Taulandit, në Spanjë ka shkuar edhe xhaxhai im Valentin Malshi, që jeton me dokumenta të rregullta në Angli. Por mësova që nuk kishte marrë ndonjë të dhënë me interes për këtë çështje.

Pas këtyre deklarimeve, grupi hetues mori në shqyrtim edhe mesazhet telefonike që Denis Marku kishte shkëmbyer me Edmir Vlashin.  I njohur si shoku i Landit. Ku i kërkon këtij të fundit, informacione, lidhur mbi Fatbardh Dodën, personin që kishte deklaruar  se kishte marrë peng dhe zhdukur, kushëririn e tij, Tauland Malshin.   Nga numri i Denis Markut i kërkohet personit të shënuar me emrin shoku i Landit:“Më duhet çdo e dhënë për Fatbardhin”; sms e bërë kjo në orën 19.21 më datë 30 Gusht 2018, ku personi tjetër i thotë: ‘shok ditëlindjen se kam këtu, nesër kam takim me avokatin e tij’.

Më pas Denis Marku i shkruan po në ora 19.22; “naj foto, emrin e babës”, ndërkohë që personi tjetër po në orën 19.22 i shkruan; “nesër 99 % do kem dhe të dhënat e shqiptarit tjetër’.  Në një tjetër mesazh, Denisi i shkruan shokut të Landit: “Fatbardh e ka”.  Personi tjetër i kthen përgjigje: “Fatbardh Dervishi, por e ka ndërruar Fatbardh Doda tash”.  Më tej Denisi i çon Edmir Vlashit një tjetër mesazh, në orën 19.23 më datë 30 Gusht 2018: “Foto ske kund”.  Ndërsa nga numri tjetër vjen përgjigja: “No, por them se nesër gjej. Se kishte fshi dhe fb”.

Por ajo që e bën edhe më intriguese ngjarjen dhe që hedh dyshimin se autorët e zhdukjes së Tauland Malshit, po përpiqeshin të humbnin gjurmët, janë disa komunikime që Denis Markut i erdhën nga një adresë false në faceboook. Më 27 gusht 2018, vetëm dy ditë pas mbërritjes së mesazhit që Taulandi ishte zhdukur. Ku një person në krahun tjetër të facebookut, shtirej sikur ishte vetë Tauland Malshi.  Më datë 27 Gusht 2018 në orën 11.00 ka një mesazh në telefonin e shtetasit Denis Marku nga një adresë facebook, me emër fallso Floro-Floro i cili i shkruan: “Denis”.

Më datë 31 Gusht 2018 ora 01.26, Denisi i kthen përgjigje nëpërmjet adresës së tij Denisi-Denisi, mesazhshkruesit Floro-Floro: “Kush je”. Në orën 10:33 të datës 31 Gusht 2018 nga Floro-Floro vjen mesazhi: “kush jam?!”.

Ndërkohë që nga Denisi-Denisi shkruhet drejt Floro-Floro: “kush?”.

Nga Floro-Floro dërgohet mesazhi: “kusho prej burgut, a kupto mos fol me emra”.  Në këtë moment Denisit i dërgohet sms: “L” që mund të jetë gërma e parë e emrit Landi, shkurtim i emrit Tauland. Më pas mesa duket Denis Marku kërkon të kuptojë nëse personi tjetër është kushëriri i tij, Tauland Malshi, ku i shkruan në orën 10.36 të datës 31 Gusht 2018; “A ke makinë Fiat” dhe Floro-Floro i përgjigjet:“ po jashtë”. Ku këtu bëhet fjalë për makinën në fshatin e banimit.

Nga Denisi-Denisi kërkohen të dhëna të tjera në orën 10.39 datë 31.08.2018: “sa vjeç janë nëna dhe baba dhe si e ka emrin babi im”.

Nga Floro-Floro vjen mesazhi në ora 10.40 datë 31.08.2018; “Leka dhe Marjana”.  Theksojmë se prindërit e Denis Markut quhen Preng dhe Dave, ndërsa prindërit e Tauland Malshit, Ndok dhe Lizë.

Në ora 10.41 nga Denisi-Denisi i dërgohet mesazh drejt Floro-Floro; “si e ka emrin nipi im”, ndërkohë që nga Floro-Floro shkruhet; “Besi po çfarë janë këto o vëlla’.  Ndërkohë që në orën 10.48 datë 31 Gusht 2018 nga Denisi-Denisi shkruhet; “ne jena mbledh për mort o shok, nëqofsh tu u tall kush, ma ke borxh”.

Pra, ishte e qartë se dikush po përpiqej të hiqej si Taulandi, me qëllim që familja të mendonte se ai ishte gjallë dhe ndodhej në burg. Nëna e Taulant Malshit, pohon në bisedën për emisionin ‘Në shënjestër’ se menjëherë pasi mësuan për emrin e personit që mund të kishte gisht në zhdukjen e djalit të tyre, ata shkuan në familjen e Fatbardh Dervishit, në Shijak.  Aty, ku i priti babai i tij.

Pyetje: Po në Shijak, a keni shkuar tek familja e Fatbardh Dervishit (Doda) për të kontaktuar me babain e tij apo familjarë të tjerë?

Përgjigje: Ka qenë burri im, kushëriri dhe kunati im tek babi i atij djalit. I ka thënë se nuk din gjë se çfarë ka ndodhur, smë tregon askush. Ai nuk na ka thënë asgjë.

Pyetje: Cili mendoni se mund të jetë shkaku i vërtetë i zhdukjes së tij?

Përgjigje: Vetëm ka ik me Edmir Vlashin (Marku) dhe nuk di më asnjë fjalë, asgjë nuk e di se çfarë ka ndodhur.

Ky takim u konfirmua përpara grupit hetues edhe nga Ramazan Dervishi, babai i Fatbardh Dervishit i cili mban edhe mbiemrin Doda. Por nga ajo që rezulton më pas del se një oficer policie u ka kërkuar familjes Malshi, që të mos e shqetësojnë me babain e autorin e dyshuar të zhdukjes së djalit të tyre, pasi ai ishte në moshë të thyer.

Disa persona në emër të Ndok Malshit kanë ardhur të më takojnë në shtëpi por unë nuk di asgjë lidhur mbi këtë çështje.  Mua më ka marrë në telefon djali im Fatbardh Doda nga Spanja, dhe më ka kërkuar numrin e një funksionari të policisë.

Pyetje: Po me familjarët e Fatbardh Dervishit a keni kontaktuar?

Përgjigje: Nuk kemi kontaktuar më, na mori ai oficeri i policisë së Durrësit mua, burri dhe kushëririn tim dhe na tha mos u merrni me atë se është i vjetër. Ne i kemi thënë ti si babai i Fatbardhit na jep një rrugëzgjidhje për djalin. Ai shkoi e denoncoi, dhe nuk kemi kontaktuar më me të.

Grupi hetues mori në pyetje lidhur mbi ngjarjen, edhe personin kyç ku rrotullohen të gjitha fijet e zhdukjes së Tauland Malshit.

Edmir Vlashi u pyet në lidhje me rrethanat, sapo mbërriti në Shqipëri.  Ku përpara oficerëve të policisë gjyqësore në Lezhë, tregoi gjithçka kishte ndodhur ditën e fundit me Taulandin.

Unë kam njohje fëmijërie me Tauland Malshin, pasi jemi nga i njëjti fshat, Tresh, në Njësinë Administrative Zejmen Lezhë. Ne kemi shkuar bashkë në Spanjë në Malaga rreth orës 11.00 të datës 22 Gusht 2018, ku jemi akomoduar në një hotel në qytezën Fungirola.

Këtu do të qëndronim 10 ditë për  pushime. Gjatë kësaj kohe shoku im Tauland Malshi më ka thënë ta shoqëroja në qytezën Cijuela të Granadës, pasi do të takohej me Fatbardh Dervishin. Kur kemi shkuar atje jemi takuar me personin në fjalë, ku ai na tha ta ndiqnin nga pas me një automjet të cilin e kishin marrë me qera.

Fatbardh Dervishi, ishte ndërkohë me një shtetas spanjoll.

Gjatë rrugëtimit makina e Dervishit ka ndaluar, ndërkohë që Taulandi hipi në automjetin e tij.

Unë u ktheva për në Malaga.’

Edmir Vlashi rrëfeu më tej se ai u ndje i shqetësuar kur të nesërmen, miku i tij nuk u kthye në hotel.

Duke qenë se Taulandi nuk erdhi edhe të nesërmen, pra me datë 26 Gusht 2018, u interesova pranë personave të fundit që ishin me të.

Më datë 27 Gusht 2018, rreth orës 10:00 shkova në policinë nacionale të qytetit Granada, ku u interesova për shokun tim, duke menduar se mund të ishte arrestuar. Por nga autoritetet policore atje më thanë se nuk kishin të arrestuar ndonjë shtetas shqiptar.

Po më datë 27 Gusht 2018, rreth orës 18:20 u drejtova në Policinë nacionale të qytezës së Fungirola, ku bëra denoncim për humbjen e shokut tim Tauland Malshi. Në mbrëmje komunikova në telefon me babain e Tauland Malshit, ku i thashë se duhej të vinte në Spanjë, pasi djali i tij kishte një problem. Më datë 28 Gusht 2018, i telefonova sërish Ndokë Malshi, babait të Taulandit Malshi, ku i thashë se kisha bëre denoncim në polici, lidhur me humbjen e djalit të tij.

Gjatë marrjes në pyetje, Edmir Vlashi, u pyet edhe për njohjet e tij me Fatbardh Dervishin.  Personi i cili kishte marrë përsipër edhe zhdukjen e Tauland Malshit.  Por largoi nga vetja çdo implikim me Dervishin.

Me Fatbardh Dervishin, njihem që nga viti 2010.

Ku kemi qenë në burg të dy për një kohë të shkurtër, ku nuk është se kishin ndonjë shoqëri. Nga viti 2010 deri në korrik të vitit 2017 nuk e kam takuar.  Më pas jemi takuar në Spanjë, ku dhe kemi mbajtur më pas kontakte me njëri tjetrin.

Në Spanjë unë këtë herë kisha shkuar vetëm për pushime dhe për asnjë lloj pune tjetër. Ndërkohë që nuk kam dijeni se me çfarë pune merrej Fatbardh Dervishi. Ndërsa për sa i takon njohjes mes Tauland Malshit dhe Fatbardh Dervishit, njohja mes tyre është bërë nga unë. Por nuk e di se me çfarë është marrë Tauland Malshi në Spanjë dhe nuk kam dijeni për ndonjë konflikt të mundshëm që mund të ketë pasur.’

Familja Malshi ka dyshimet e veta lidhur mbi Edmirin dhe rolin e tij në rrëmbimin dhe zhdukjen e Taulandit.Nëna e tij thotë se ata nuk kanë kontakt me Edmirin që nga koha kur ata kërkonin djalin e tyre të humbur në Spanjë.

Përgjigje: Unë vetëm tek Edmira Vlashi (Marku), ai që e ka marrë e ka ik, ai i din të gjitha gjërat. Ai që na ka sjellë fjalën ai i din të gjitha gjërat.

Pyetje: A keni kontaktuar më me Edmir Vlashin (Marku)?

Përgjigje; Nuk kontaktuam më me të, shkuam në Spanjë ne dhe më tha mua “pse ke ardhur ti”, unë i thashë kam ardhur me kërku djalin, më gjej djalin ku e kam, jo tha ti shko në Shqipëri e burri jot të rrijë me mua, të shkojmë tek një spanjoll sepse ai i din gjërat. Burri im i tha më trego shtëpinë se shkoj vetë tek spanjolli. U prishëm atëherë me të sepse i thashë unë kur të hyjmë brenda tek policia unë do t’i tregoj se tin a ke tregu krejta gjërat, ai tha po i dhatë numrin tim të telefonit e po i treguat për mua marr fund, më dënojnë 20 vite, i thashë  “Akoma 100 vjet”. Edhe iku ai, na ka lënë në Spanjë, nuk kemi kontaktu më me të.

Por ndërkohë që policia kryente gjithë këto hetime, dhe familja kishte emra konkretë, në listën e fletëthirrjeve për të dëshmuar, mungonte njeriu kyç, i cili akuzohej si personi që rrëmbeu dhe zhduku Tauland Malshin.

Fatbardh Dervishi me mbiemrin e ndryshuar Doda, nuk u paraqit asnjëherë në polici për të dhënë dëshminë e tij. Pavarësisht se ndaj tij kishte dëshmi të rënda. Ku për çudi edhe pse ishte në kërkim, ai shëtiste i lirë.  Por do të duhej një ngjarje tjetër e rëndë që Dervishi të binte në prangat e policisë.

Afro 3 vite e 6 muaj nga zhdukja e Tauland Malshit, ai u arrestua më 20 janar 2022, pasi më 3 janar të këtij viti plagosi në dhomën e një hoteli në autostradën Tiranë-Durrës, të dashurën e tij. Të cilën e qëlloi me pistoletë në shpatull, në një ngjarje të cilën kjo e fundit e cilësoi aksidentale, por që i kushtoi prangat të dashurit të saj.  Ngjarje kjo e ndodhur vetëm pak ditë pasi ishte kthyer nga Spanja. Pranga të cilat do ti shërbejnë drejtësisë për ta marrë në pyetje Fatbardh Dervishin edhe për zhdukjen e Tauland Malshit.

Pyetje: Cila është thirrja që ju keni për autoritetet?

Përgjigje: Unë kërkoj njëherë të zbardhet çështja, të më gjejë djalin se Edmir Vlashi (Marku) ia din krejt rrugët djalit tim vetëm ai Edmir Marku. Se ka fut Fatbardh Dervishi e pse ka fut tjerët unë nuk i di. Ai q ëma ka marrë tek shtëpia edhe e di se ka qenë me të. Ai le të thotë që ska qenë me të. Ai ka qenë. Ai ti tregojë shokët e vet dhe ta gjejë sido që të jetë puna.

Pyetje: Pra ju po thoni se Edmir Vlashi fshihet pas zhdukjes së Tauland Malshit?

Përgjigje: Unë nuk i njoh tjerët, mua ai që më ka sjëllë fjalën ai e din. I kam thënë ma sill si gjallë si vdekur në shtëpi.

Policia shqiptare beson se Malshi u la si peng tek një grup kriminal ku Edmir Vlashi kishte blerë një sasi të madhe droge, por nuk kishte paguar paratë. Derisa ai të dorëzonte shumën prej 500 mijë eurosh, miku i tij i fëmijërisë do të qëndronte si garanci. Grupi kriminal kishte në përbërje shtetas shqiptarë, spanjollë dhe kurdë.

Rreth thealbaniantimes

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *