Vrasja e të riut Pavlin Preka në oborrin e banesës së tij në fshatin Guci e Re, Shkodër, vijon të jetë e mbushur me mister.
Burime për mediat bëjnë me dije se përveç pistës së ndonjë konflikti banal, uniformat blu i kanë shtrirë hetimet edhe në pista të tjera. Nuk përjashtohet mundësia që i riu të ketë qenë dëshmitar i ndonjë ngjarje apo aktiviteti kriminal.
Më herët, përveç familjarëve të së riut, por edhe fqinjët, e kanë përshkruar Pavlinin si një djalë të qetë, i cili nuk kishte konflikte me askënd. Ky fakt është konfirmuar edhe nga Policia të cilët më herët bënë me dije se ai nuk rezultonte të kishte precedent penal.
Pavlin Preka
Sakaq, grupi hetimor ka marrë në pyetje të gjithë ata persona të cilët e njihnin 20-vjeçarin. Gjithashtu, ata po vijojnë këqyrjen e telefonit të tij, me qëllim për të zbuluar komunikimet e tij të fundit të cilat mund të hedhin më tepër dritë lidhur me këtë ngjarje.
Ashtu si dhe bëmë me dije më herët, Pavlin Preka jetonte mes Dukagjinit dhe fshatit Guci e Re, bashkë me babain dhe vëllain e tij. 20-vjeçari kishte 4 ditë që kishte shkuar në banesën ku dhe u gjet i vrarë.
Ngjarja e rëndë ndodhi pasditen e së enjtes. Ishte xhaxhai i 20-vjeçarit, Nikollë Preka personi i cili e gjeti nipin e tij të vrarë. I riu jetonte i vetëm në shtëpi ndërsa ushqehej tek familja e xhaxhait që e kishte shumë afër. Pasi e kishin telefonuar disa herë për të ngrënë drekën, ai nuk i ishte përgjigjur dhe si rjedhojë xhaxhai i tij kishte shkuar tek banesa duke menduar se mos ishte në gjumë.
Por, në atë moment e gjeti 20-vjeçarin të shtrirë në oborrin e banesës të “bërë shoshë” nga plumbat. Menjëherë ai telefonoi policinë, të cilët mbërritën në vendin e ngjarjes dhe filluan hetimet.
Ndërkohë, vlen të theksohet se komshinjtë kanë deklaruar para grupit hetimor se nuk kanë dëgjuar krisma, çka çon në dyshimin se vrasja mund të jetë kryer me pistoletë me silenciator.