Të enjten e 23 Marsit besimtarët myslimanë nisim muajin e Ramazanit. Ky muaj i cili është më i bekuari në kalendarin islam, për drejtorin e kulturës në KMSH Dorian Demetja jep si shpërblim për besimtarët pastrimin shpirtëror dhe ruajtjen e vlerave morale.
“Është një muaj i bekuar, një muaj i rëndësishëm për myslimanët që e presin me padurim gjatë gjithë vitit për vetë faktin që mund të themi është si një “dush’ shpirtëror, ky muaj në të cilën besimtari hyn një herë në vit për të dal më pas i pastër nga mëkatet dhe gjynahet.”- tha Dorian Demetja, drejtor kulture, në KMSH.
Teksa tregon rregullat e agjërimit Demetja tregon se ky muaj nuk është mirë të shërbejë si dietë dobësimi, por si mision për të zbukuruar sjelljen e individit.
“Çdo adhurim që kryhet kërkon në radhë të parë besimin. Pra një person duhet të besoj pastaj duhet të adhuroj. E them këtë se mund të kemi raste te njerëzit që kanë dëshirë të agjerojnë agjërojnë ose kanë dëshirë të bëjnë diçka akoma pa e ditur për çfarë bëhet. Janë disa persona që thonë që mbajnë agjërim për dietë, por agjërimi nuk mbahet për dietë. Ne e mbajmë sepse është një urdhër i Zotit , pastaj ka të mira shëndetësore e shoqërore është dhuratë nga i madhi Zot që i jep të agjëruarit.” tha Dorian Demetja, drejtor kulture, në KMSH.
Edhe fëmijët kanë shfaqur interes të lartë për të agjëruar. Demtja ndan me ne rastin e djalit të tij vetëm 13 vjeç që vitin e kaluar agjëroi gjithë muajin
“Kur ka qenë më i vogël, ka mbajt me ditë. Vet psh ka mundur sepse unë e kam pyetur , jam interesuar çdo ditë dhe e kam pyetur si është ndier dhe ka shkuar shumë mirë dhe me lehtësi.” -tha Dorian Demetja, drejtor kulture, në KMSH.
Muaji i Ramazanit përfundon më 20 Prill ndërsa nata e Kadrit këtë vit është në datën 17 Prill. Falja e Bajramit në datë 21 Prill pritet të bëhet edhe këtë vit në sheshin Skënderbej ku festa do të jetë e dyfishtë pasi Komuniteti mysliman në Shqipëri feston 100 vjetorin e themelimit.