Një grumbull hekurash është gjithçka që ka mbetur nga aksidenti me 8 viktima në Këlcyrë. Ngjarja e rëndë ndodhi mëngjesin e sotëm, teksa shoferi i makinës tip “Benz”, Edison Bregaj po transportonte 7 emigrantë të paligjshëm.
Në momentin që ka parë dy policë që patrullonin zonën ai është larguar me shpejtësi, ka humbur kontrollin dhe pas një fluturimi në ajër për rreth 200 metra ka përfuduar në anë të lumit të Vjosës.
Shtatë personat e tjerë, për shkak të dëmtimeve të rënda ende nuk janë identifikuar. Siç shihet edhe në pamje, pranë makinës ndodhet një çantë me bukë. Një atlete dhe sende personale të viktimave.
Policia bëri me dije se shoferi, Edison Bregaj 24-vjeç, kishte marrë automjetin tip “Benz” me qira në qytetin e Shkodrës, nga shtetasi Agustin Gjepa, 26 vjeç.
“Aksidenti i llahtarshëm dje në fshatin Kuqar të Përmetit u morri jetën 8 djemve. Njëri prej tyre shoferi shqiptar, 7 të tjerët emigrantë të paidentifikuar. Policia morri kufomat e aksidentit makabër i çoi në morg ndërsa buzë lumit kanë mbetur makina e shkatëruar, një atlete dhe çanta me bukë. Bukë e pangrënë, e lënë aty si klithmë e një udhëtimi që nisi për ti ikur luftës dhe konfliketeve diku nga Siria, Pakistani apo Afganistani…”, shkruan gazetari Bledi Mane.
“Në vijim të informacionit paraparak të dhënë për aksidentin e ndodhur në aksin rrugor “Këlcyrë-Përmet”, në afërsi të fshatit Kuqar, si pasojë e të cilit humbën jetën 8 shtetas (drejtuesi i automjetit dhe 7 shtetas që dyshohet se janë nga Vendet e Treta), ju informojmë se nga verifikimet e kryera dyshohet se drejtuesi i këtij automjeti është shtetasi E. B., 24 vjeç, banues në Shkodër.
Gjithashtu, nga verifikimet e kryera rezulton se automjeti tip “Benz” që drejtonte shtetasi E. B. është marrë me qira në qytetin e Shkodrës, nga shtetasi A. Gj., 26 vjeç.
Policia e Shkodrës ka shoqëruar në Komisariat, shtetasin A. Gj., për ta marrë në pyetje për rastin.
Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, vijon punën për dokumentimin e plotë të ngjarjes”, informon policia.