Korça lozonjare, etiketuar shpesh si Parisi i vogël, ka zëvendësuar serenatat e kahershme të dashurisë poshtë ballkoneve, me restorantet e kohërave moderne, në të cilat këndohen plot gjallëri, këngë qytetare Shqiptare. Edhe sot, ruhet nostalgjia teksa viziton Korçën, ku nëpër kalldrëmet e lagjeve sheh shtëpitë me çardak, me kangjella dhe skulptura guri. Korça është spikatur gjithmonë edhe për zbukurimin e oborrit me lule, e unë duke patur gjak përmetareje, nuk mund të mos ia dua këto detaje
Dimri ofron një panoramë të qytetit nën petkun e bardhë, e sikundër ka shumë hotele e bujtina që kanë vite që mirëpresin turistë në çdo stinë, është ndër ato qytete në të cilat nuk ke frikë se do të ikin dritat e s’do të ketë ngrohje.
Si të mbërrini në Korçë?
Korça ndodhet rreth 3 orë larg Tiranës. Teksa udhëtoni drejt qytetit, do të kaloni përmes Pogradecit, një tjetër qytet shumë i vizituar tek i cili vlen të bëhet një ndalesë. Fare pranë Korçës ndodhet gjithashtu edhe pika doganore e Kapshticës, duke e bërë qytetin një destinacion që nuk duhet humbur nëse jeni duke ardhur nga vendi fqinj. Ndërkohë, Voskopoja dhe Dardha ndodhen rreth gjysmë ore larg Korçës. Rrugët drejt këtyre fshatrave janë disa nga më të bukurat në Shqipëri, duke ofruar peizazhe piktoreske, ajër të pastër dhe një qetësi që ta fal vetëm kjo zonë.
KUJDES: Nëse jeni duke vizituar Korçën në dimër, mund të ketë probleme si rrjedhojë e reshjeve të dendura të borës. Si rrjedhojë, në këto rrethana rruga mund të zgjasë disa orë më shumë, si edhe mund të ketë bllokime në segmentin Pogradec – Korçë. Sigurohuni të jeni të mirë informuar, përpara se të niseni.
Ku të qëndroni në Korçë?
Korça ka dhjetëra hotele e bujtina me investime shumë serioze, por këtu po listojmë emrat më të lakuar tek Ema’s Light:
- Villa Ester
- Hani i Pazarit për të cilin kam shkruar këtu
- Tresor Art Boutique
- Vila Ebel
- In Gallery për të cilin kam shkruar këtu
- Bujtina Leon
- Barba Boutique Hotel
- Vila Ekrem
- Meri Boutique Hotel
- Hotel Cathedral
- Casa Gaçe
Çfarë të vizitoni në Korçë?
Qyteti ofron aktivitete të shumta kulturore, festa e panaire përgjatë gjithë vitit. Shumë tërheqëse janë ditët e festave si: Pashkët, Krishtlindja, Karnavalet apo festa e birrës. Megjithatë, këto ditë unë personalisht i kam evituar, sikundër ka një mbidyndje turistësh. Nëse vendosni sidoqoftë, të vizitoni qytetin në periudhë festash, mos harroni që Korça është bërë kaq e kërkuar, sa hotelet mund të zihen edhe 2-3 muaj më parë
Mësonjtorja e Korçës, është shkolla e parë kombëtare e gjuhës sonë shqipe. Çelur më 7 mars të vitit 1887, “Dita e Mësuesit” festohet edhe sot në çdo shkollë vendase. Pikërisht në Pedonale (një nga zonat më të frekuentuara në Korçë), ndodhet tashmë Muzeu “Mësonjëtorja e Parë Shqipe”.
Një pjesë e jetës së qytetit përqëndrohet në Pazarin e Korçës, ku shtëpitë qindra-vjeçare janë shndërruar tashmë në restorante, kafene e hotele. Një kafe, raki e pjekur apo verë e ngrohtë, shijon shumë jo vetëm në acarin e dimrit.
E nëse po bëni një shëtitje në bulevardin e kthyer në pedonale, përveçse mund të rastisni grumbuj njerëzisht që rrethojnë artistë të panjohur duke kënduar, mos humbisni rastin edhe të ngjiteni tek Kulla Panoramike, nga ku mund shijoni pamjen e qytetit dhe të shkrepni një foto nga ato që na duhen ne blogerëve
Një vizitë tek Fabrika e Birrës në Korçë, ka vlerë jo vetëm për të shijuar një birrë të ftohtë me kërnacka, por edhe për të mësuar mbi historinë e birrës së parë shqiptare. Fakt interesant:
Në qendër të qytetit ngrihet Katedralja Ortodokse: “Ngjallja e Krishtit”, e cila e përfaqëson qytetin në çdo foto të kohërave moderne dhe është bërë një pikë referimi për çdo turist.Ndërtuar në vitin 1992, katedralja simbolizon rikthimin e praktikave fetare në një vend ku të gjitha fetë ishin ndaluar që nga viti 1967.
Shijoni gatime tradicionale nga dora e korçarkave. Shprehja: ‘o korçare, o hiç fare’ do të ketë patur me siguri lidhje me nikoqiret, të cilat me mjeshtëri na ofrojnë gatime si: petulla të fshira, lakror me dy petë, kërnacka, petanik me fasule, fasule pllaqi e shumë të tjera.
Nëse ju ka mbetur pakëz kohë, admironi koleksionin e kornizave ikonike në Muzeun ‘Gjon Mili’. Muzeu i rikonstruktuar gjatë viteve të fundit, i kushtohet fotografit korçar që ka prekur kopertinat e revistave botërore me teknikën e tij unike të fotografimit me dritë.
E nëse nuk keni parë mjaftueshëm, ndaloni edhe tek Muzeu Kombëtar i Artit Mesjetar, i cili konservon trashëgiminë e krijuar nga piktorët shqiptarë ndër pesë shekuj. Brenda ambienteve të rikonstruktuara vetëm disa vite më parë, gjenden gjenden të ekspozuara 7000 vepra arti, kryesisht ikona të punuara me dru, metal dhe gurë.
Katedralja e KorçësPunime artizanalePazari i KorçësMuzeu i Fotografisë Gjon MiliMuzeu i Artit MesjetarPëlhura të varuraFabrika e Birrës KorçaKulla Panoramike
Përreth qytetit të Korçës, ka edhe shumë fshatra turistikë. Vizita nuk është e kompletuar pa shijuar ajrin e pastër të Voskopojës. Fshati historik ndodhet në rrëzë të maleve dhe të jep mundësinë të përhumbësh në rrugicat e mbushura me histori. Kishat Bizantine të Shën Kollit dhe Shën Athanasit, plotësisht të dekoruara me afreskë mesjetarë, janë dy prej atraksioneve më të rëndësishme të fshatit. Pranë këtij fshati gjenden dhe një sërë hotelesh e restorantesh në natyrë, ideale për një drekë ose një natë qëndrimi.
Ide për Hotele në Voskopojë:
- Vila Helen – investim i ri modern
- George Boutique Hotel – investim i ri me arkitekturë të ngrohtë, me tavanë druri dhe mure guri.
- Hotel Bacelli – preferohet shumë për dhomat e gjumit me oxhak brenda
- Vila Strugu – rekomanduar së fundmi në faqe
- Designer Villa Voskopojë – një vilë e cila lëshohet e tëra me qira ditore, mund të konsiderohet për disa familje bashkë
- Vila Falo – i njohur më shumë për restorantin, sidoqoftë është një opsion ekonomik për të fjetur.
- Bujtina Liana – një tjetër opsion ekonomik
Fshati i Dardhës shquhet për peizazhet që ofron, por edhe për pistën e skive, të vetmen me teleferik në Shqipëri. Gjatë dimrit, fshati duket si një kanavacë e bardhë e pikturuar nga natyra, por edhe në stinët e tjera mund të ndaloni për një kafe ose piknik në qetësi e ajër të pastër. Në fshat ndodhen edhe disa hotele e restorante, ku investimi më i madh, mbetet Hotel Dardha.
Sugjerime për restorante apo bar-e në Korçë
Restorante në Korçë
- Vila Cofiel – Restorant autentik, ndër më të njohurit për atmosferën e gjallë e të ngrohtë me oxhak, ushqime tradicionale, muzikë live përgjatë fundjavës. Hapësira është e vogël, jo shumë e përshtatshme për fëmijë, duhet rezervim paraprak patjetër.
- Hani i Pazarit – me një oborr karakteristik me pus në mes, i përshtatshëm edhe për një pije, ambient shumë autentik, ushqim tradicional, muzikë live përgjatë fundjavës, ka hapësirë edhe për të organizuar evente.
- Bujtina Sidheri – një ambient i vogël me disa dhoma nëntokë, ka një stil disi amatoresk, ushqime tradicione, ofron muzikë live në fundjavë.
- Taverna Vasili – ndër më të vjetrit në qytet, njihet për supën e limonit, ushqimi është standard, shërbimi ka probleme, ambienti është ok përgjatë javës, muzikë live përgjatë fundjavës.
- Life Gallery – ndër investimet e para moderne në Korçë, edhe sot ofrojnë një kuzhinë të rafinuar, shërbim shumë të kujdesshëm dhe ambient elegant.
- Find Four – restoranti i bë i njohur si një alternativë ndryshe nga pjatat tradicionale. Kuzhina ka ndikim italian, ofrohen pizza, pasta, risotto etj.
- In Gallery – lexoni shkrimin për restorantin këtu
- Sekreti – restoranti i ndodhur tek Bulevardi Republika, është një opsion i mirë me lojra për fëmijë në ambientin e brendshëm.
Klube dhe bare në Korçë
- Komiteti – Kafe Muzeum për eksperiencën e veçantë që ofron
- Republika Housepub
- Loft 26
- C’era Una Volta
- The Beatles Cocktail Bar
Kush viziton Korçën, ka vizituar një pjesë të historisë, kulturës dhe elitës shqiptare. Por, çfarë do të donim më shumë nga ‘Parisi i vogël‘? Ajo që unë mendoj, është se me rritjen e numrit të hoteleve, bujtinave e restoranteve, Korçës i mungon një shkollë profesionale për hoteleri, kulinari, kamerierë, e çdo profesion që i shërben turizmit.
Rritja e kërkesës, nuk sjell vetëm rritjen e çmimeve në mënyrë progresive. Çmimet i përcakton tregu i lirë! Por, po aq e zakonshme të ndodhë, është edhe zbehja e një shërbimi të kulturuar siç i ka hije Korçës. Duhen konsideruar trajnime të posatshme apo përditësime në ofrimin e shërbimeve, si psh: procesi i rezervimit të hoteleve, i cili për vendasit është thuajse gjithmonë me telefon. Duhen shtuar bizneset që pranojnë pagesat me kartë, duhet investuar në parkime, në aktivitete për fëmijët, apo qoftë edhe në resorte gjithëpërfshirëse.
Ne do të rikthehemi gjithmonë me shumë kënaqësi në qytetin e baladave, artit, dashurisë, e ushqimeve jo domosdoshmërisht dietike, por mrekullisht të shijshme