Nëna e shqiptarit Denis Ruçi, i cili vijon të jetë i zhdukur në Greqi, ka bërë apel në media për gjetjen e tij.
Mirela Ruçi tha se djali i saj kishte rezervuar një biletë në vagonin e 5-të në ulësen 22. Ajo tha se për herë të fundit kishte folur me të në orën 22:50. Me një zë që i dridhej ajo tha:
Më tha mami, jam ulur. Do të vonohemi. Nuk më tha se ku është ulur dhe nëse ka shkuar në mensë. Më pas ai ka folur me një shoqe në messenger në orën 23:08. Fëmija im është 22 vjeç. Pas një muaji ai do të kishte ditëlindjen.
Ajo tha se djali i saj nuk është as në listën e të lënduarve dhe as në listën e të vdekurve, ndërsa nuk e di nëse ka qenë në vendin e tij në momentin e përplasjes ose nëse ishte ngritur për të shkuar në vagonin e 2-të që ishte mensa.
Madje, ajo u bëri thirrje të rinjve që ishin në tren dhe mbijetuan, që t’i jepnin të paktën një informacion nëse e kishin parë fëmijën e saj. Ajo tha se ka dhënë ADN-në në spital dhe po pret të njoftohet për identifikimin.