Zbulohen detaje të reja lidhur me aksidentin tragjik të ndodhur pak pas mesnatës në aksin rrugor Këlcyrë-Përmet, ku humbën jetën 7 klandestinë nga vendet e treta dhe shoferi nga qyteti i Shkodrës.
Zbardhet dinamika e lëvizjes së klandestinëve të cilët u nisën për një të ardhme më të mirë por jeta u pre në mes.
Mësohet se klandestinët kanë hyrë nga kufiri i gjelbërt “Tre Urat’ në Përmet. Kanë qëndruar për gati 30 minuta në pritje të ardhjes së makinës që do i çonte më pas në drejtim të Hanit të Hotit, më pas në Mal të Zi, Kroaci dhe destinacioni final vendet e BE-së. Për këtë rrugëtim mësohet se secili prej tyre kishte paguar 300 euro.
Pasi ka ardhur automjeti, 7 klandestinët janë futur në makinë dhe kanë nisur udhëtimin. Në hyrje të Këlcyrës janë ndeshur me një patrullë policore. Në këtë moment shoferi ka bërë kthesë dhe pasi ka ecur 4 km për shkak dhe të shpejtësisë së lartë shoferi ka humbur kontrollin, duke rënë në lumin Vjosë.
Makina ka ‘fluturuar’ 100 metra në lartësi dhe ka rënë në një distancë 300 metra në lumin Vjosë.
Mësohet se shoferi nga Shkodra është Edison Bregaj ndërsa identitetet e 7 klandestinëve ende nuk janë zbardhur.