Një aksident tragjik ka ndodhur këtë pasdite në hyrje të Tiranës, pranë Saukut, ku duket edhe trupi i një viktime që ka fluturuar nga makina duke gjetur vdekjen në vend. Ajo është mbuluar me batanije nga forcat e ndihmës së shpejtë për të mos qenë e ekspozuar për të tjerët, por përveç saj ka edhe një person të vdekur dhe 3 persona të tjerë që janë në gjendje të rëndë.
Mësohet se automjeti me shpejtësi të lartë po vinte nga Shkoza në drejtim të TEG-ut.
Dyshohet se brenda tij ndodheshin 4 persona, nga të cilët dy vajza fatkeqësisht kanë humbur jetën ndërsa tre persona të tjerë janë plagosur rëndë. Si pasojë e shpejtësisë, automjeti në fjalë ka humbur kontrollin duke thyer barrierat e mbikalimit dhe ka rënë në rrugën poshtë.
Në atë moment poshtë po kalonte një automjet tjetër, të cilit i ka rënë përsipër automjeti që po lëvizte me shpejtësi, duke e dëmtuar në pjesën e përparme.
NJOFTIMI I PLOTË:
Tiranë/Informacion paraprak
Më datë 09.03.2023, rreth orës 18:05, shtetasi Q. K., duke drejtuar automjetin, në unazën lindore dyshohet se duke dalë për tek rrethrrotullimi i Tegut, ka humbur kontrollin mbi drejtimin e tij dhe automjeti ka dalë nga rruga dhe ka rënë nga mbikalimi, mbi kofanon e një automjeti tjetër. Si pasojë kanë humbur jetën dy shtetase femra, si dhe janë dërguar në spital për ndihmë mjekësore shtetasit Q K., O. K., dhe K. R., të cilët ndodhen nën kujdesin e mjekëve.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e rrethanave të aksidentit. Mbi rrethanat dhe shkaqet e aksidentit, pas përfundimit të këqyrjes së vendit të ngjarjes, dhe për gjendjen shëndetsore të të dëmtuarve në spital, do të keni njoftim në vijim.