Pas divorcit të saj vetëm një vit e gjysmë pas martesës, Floreta u detyrua të kthehej në shtëpinë e prindërve në Prrenjas. Mentaliteti i fshatit ku jetonte ishte i rëndë për të dhe u forcua edhe më shumë pas humbjes së babait të saj.
Me humbjen e babait, vdiqën edhe bletët me të cilat familja siguronte të ardhurat për të jetuar dhe askush nuk i ndihmoi për të gjetur ç’të bënin me ato pak që kishin mbetur.
Historia që Floreta tregim në “Ka Një Mesazh Për Ty” nga “E Diela Shqiptare” në Tv Klan është një rrëfim frymëzues se si në rrethana të vështira, mund të të gjendet dikush që të jep shpresë. Teksa ajo përpiqej të ndiqte trajnime për bletët në të cilat merrnin pjesë vetëm burra dhe paragjykohej për statusin e saj, dikush e nxori nga gracka ku e kishte futur mentaliteti. Në këtë mënyrë, Floreta ia doli ta merrte vetë në dorë biznesin e familjes.
Floreta: Më vonë më vjen një zonjë te shtëpia. Në momentin që kam biseduar, e kam ndierë veten me shpresë.
Ardit Gjebrea: Po pse?
Floreta: Sepse ajo zonja ishte inxhiniere pyjesh me profesion.
Ardit Gjebrea: Si e ka emrin?
Floreta: Lindita Kokonozi. Më thotë “Floreta ku ke ngecur në profesionin, në punën tënde me bletët? Si të ecën puna?” dhe unë i tregoj historinë që e kam shumë të vështirë prej mentalitetit që të dal të marr pjesë në seminar. Kam një vit që shkoj i thashë, por prapë jam në dilemë të madhe sepse jam vetëm unë femër, nuk shkon asnjë femër tjetër në seminare. Edhe ajo më thotë “Floretë, dëgjo, e kuptoj shqetësimin tënd, e kuptoj shumë mirë, unë jam inxhiniere pyjesh dhe të kuptoj më mirë se kushdo tjetër se edhe unë të njëjtën gjë, edhe unë dal e shkoj në pyll me meshkujt” thotë, “por ti duhet ta thyesh mentalitetin, je ti ajo që duhet të bësh këtë ndryshimin në vendin tënd, nëse s’e bën ti, s’ka kush ta bëjë ndryshe”. I them por si do ta bëj? “Do ta bësh që të marrësh pjesë në seminare, në panaire, të njohësh njerëz sepse kështu do të të ngelë produkti aty, nuk ke ku e çon produktin tënd, nuk të njeh njeri”.
Ardit Gjebrea: Cila është jeta jote sot?
Floreta: Sot unë jam transformuar në një njeri tjetër në fakt. Sa keq që kur e them kështu duket sikur jam transformuar, si mund të transformohet një njeri, po. Unë sot jam… e ndiej vetne të sigurt. Unë në çfarëdo vështirësie që mund ta gjej veten, unë mund ta zgjidh.
Ardit Gjebrea: Ku jeton?
Floreta: Jetoj prapë atje. Unë jetoj në shtëpinë e prindërve të mi. Tani kam vetëm nënën.
Ardit Gjebrea: Me çfarë merresh?
Floreta: Me bletarinë. Kam bërë një park. Më del atje./tvklan.al