Gazetari Jul Kasapi ka zbuluar në “Ditari” i A2CNN detaje të reja nga operacioni policor “Never Forget”, që çoi në zbulimin e 6 vrasjeve dhe 11 ngjarjeve të tjera kriminale, të kryera nga grupi i drejtuar prej 31-vjeçarit Laert Haxhiu.
Kështu mësohet se ishte grabitja e 30 mijë eurove në pikën e këmbimit valutor në zonën e Astirit nga ana e Artan Tafanit, ajo që shtyu hetuesit të ndiqnin lëvizjet e 39-vjeçarit dhe të zbulonin fijet që lidhnin atë me grupin e Haxhiut.
Policia pasi ra në gjurmët e 39-vjeçarit, ka mbikëqyrur prej mëse 3 muajsh lëvizjet e tij duke mos e arrestuar menjëherë.
Përmes kamerave të sigurisë policia arriti pikën e kthesës në hetime, në momentin kur panë se ku Tafani po parkonte automjetin e tij.
Hetuesit zbuluan se automjeti i grabitësit nga Lushnja parkohej në garazhin personal të Klea Gjatës, e dashura 27-vjeçare e Laert Haxhiut, e cila është vënë po ashtu në pranga pasi akuzohet për për veprat penale “Përkrahja e autorit të krimit” dhe “Moskallëzimi i krimit”.
Me këtë provë të fortë në dorë, hetuesit arritën të “zbërthenin” 39-vjeçarin, i cili ka hedhur dritë mbi 17 ngjarje kriminale të ndodhura nga viti 2018 deri në vitin 2021, ku përfshihen edhe 6 vrasje.
Sakaq, sa i përket kreut të grupit Laert Haxhiu, ai ndodhet ende në paraburgim në Greqi, pasi u arrestua në muajin Maj të këtij viti në Janinë.
Drejtësia greke nuk ka pranuar ekstradimin e 31-vjeçarit, por pas zbulimit të vrasjeve të Lulzim Qorrit dhe Dikens Halilit në territorin helen, gjasat janë që të mund të lehtësohet procedura e ekstradimit të Haxhiut drejt Shqipërisë.
Gazetari Jul Kasapi zbulon në “Ditari” detaje nga operacioni “Never Forget”, që çoi në zbulimin e 6 vrasjeve dhe 11 ngjarjeve të tjera kriminale, kryer midis viteve 2018-2021 nga grupi i drejtuar prej 31-vjeçarit Laert Haxhiu.