Ka dalë nga intubimi, avokati Sokol Mëngjesi, i cili u dhunua brutalisht nga tre persona 15 ditë më parë. Sipas raportimeve avokati ka reaguar mirë dhe mjekët janë optimistë për përmirësimin e gjendjes së tij shëndetësore.
Mëngjesi ndodhej prej disa ditësh në një spital privat në Athinë, ku u dërgua për trajtim më të specializuar shëndetësor dhe ndodhej nën kujdesin e mjekëve.
Si ndodhi dhunimi i avokatit Sokol Mëngjesi?
Ngjarja e rëndë ka ndodhur mëngjesin e 29 majit, ku pasi avokati ka lënë djalin e tij në kopësht, teksa po rrinte në këmbë jashtë rrethimit të institucionit është goditur me grusht nga një person dhe më pas është rrëzuar në tokë. Pas rënies koka i ka rënë në trotuar, ndërsa dy persona të tjerë kanë nisur ta godasin me shkelma. Si pasojë e goditjeve ka pësuar dy fraktura, dëmtime te zona e ballit dhe pas koke dhe nga këto goditje. Gjithashtu ka pësuar dëmtime në pjesën e trurit dhe hemorragji të vogël.
Autorët e sulmit u identifikuan si Dorian Alia, 32 vjeç (i arrestuar pas vetëdorëzimit); Drivald Alia, 21 vjeç (në kërkim); Elton Kasaj (në kërkim), 33 vjeç dhe Romario Tabaku, 26 vjeç (në kërkim), të gjithë banues në Tiranë. Romario Tabaku ishte personi që ka larguar me makinë autorët e sulmit nga vendngjarja. Policia ka vënë 20 mijë euro shpërblim për ato që japin informacion të vlefshëm që ndihmon në kapjen e tyre.
Ngjarja dyshohet se ka ndodhur për shkak të profesionit, ku një familje që avokati ka përfaqësuar në një gjyq për çështje prone nuk respektuar detyrimet kontraktore që ka pasur me studion ligjore. Çështja është fituar në dy shkallët e gjyqësorit nga 8 trashgimtarët që përfaqësonte avokati. Në të tilla kushte avokati ka kërkuar të respektohet kontrata që kishin lidhur dhe dyshohet që vetëm Dritan Nano nuk ka pranuar. I gjendur në këtë situatë dyshohet se ka angazhuar lidhjet e tij shoqërore duke kërcënuar avokatin që të tërhiqet nga përqindja që duhet të merrte. Takimi i para një muaji ka qenë i fundit para dhunës, sqarues por nuk kanë rënë dakord, pasi avokati ka pretenduar se ka një kontratë me studion ligjore që duhet ta zbatojë.
Autori i vetëm në qeli për ngjarjen, i cili u vetëdorëzua, Dorian Alia ka deklaruar para hetuesve se ndodhej rastësisht në të njëjtën rrugë ku ishte dhe avokati pranë kopshtit, dhe sipas tij nuk ishte plan i menduar. Ai ka deklaruar se pasi e pa, i ka folur, dhe pasi avokati e ka injoruar e ka qëlluar vetëm një herë me grusht.
“I jam afruar dhe i kam folur, pasi avokati më injoroi e kam qëlluar vetëm njëherë me grusht dhe nga paniku që ai ra, u largova”- raportohet se ka deklaruar Dorian Alia.
Ai ka deklaruar po ashtu se aktin e kreu “për miqësi” pasi ia kishte kërkuar Dritan Nano, dhe se bashkë me autorët e tjerë, donin t’i bënin presion të hiqtë dorë nga gjyqi që avokati Sokol Mëngjesi kishte hapur. Nga ana tjetër, Dritan Nano ka mohuar përfshirjen, ndërsa drejtori i Policisë së Tiranës Tonin Voci tha se Nano ishte organizuesi i sulmit dhe me autorët ishte takuar një muaj më parë. E gjithë ngjarja nga Partia Demokratike është cilësuar si sulm politik i urdhëruar nga kryeministri Edi Rama.