Drejtori i Policisë së Tiranës, Tonin Vocaj në një deklaratë për mediat ka ndarë detaje në lidhje me autorin e dyshuar Klerent Bozhanaj, 42-vjeç, i cili plagosi me një plumb në bark efektivin Edlir Alleshi.
Vocaj tregoi kronologjinë e ngjarjes, teksa theksoi se 42-vjeçari dyshohet se është i armatosur, duke paraqitur rrezikshmëri për sigurinë publike. Vocaj ka bërë me dije se ofrohet 20 mijë euro shpërblim për këdo që ndihmon në kapjen e autorit.
“Në orën 18:55 në rrugën Hysen Xhura një patrullë e shërbimit Shqiponja duke patrulluar në sektorin e saj ka konstatuar një qytetar që sapo ka parë policinë është larguar në mënyrë të dyshimtë. Ata e kanë ndjekur dhe ai ka hyrë në një hyrje pallati që përkon pak a shumë me shkallën e shtëpisë së tij.
Për pasojë efektivi është plagosur, ai ka një dëmtim me armë zjarri. Është jashtë rreziku për jetën. Shërbimet e policisë, RENEA dhe gjithë forcat e policisë të gjithë republikës janë mobiliuar për kapjen e autorit, Klerent Bozhanaj, 42 vjeç.
Theksojmë se është i armatosur dhe ka shenja të theksuara të depresionit. Policia ve në dispozicion 20 mijë euro për çdo informacion të vlefshëm që mund të çojë në kapjen e autorit”, tha kreu i policisë.
Kreu i Policisë tha se autori ka pak muaj që është kthyer nga Italia dhe rezulton të jetë një person me precedent penal në shtetin fqinj.
Në ndjekje të 38-vjeçarit janë vënë shërbimet e tjera të Forcave “Shqiponja”, Patrullat e Përgjithshme, dhe Njësitë Speciale Operacionale si dhe janë bllokuar hyrje-daljet e të gjitha rrugëve për të bërë të mundur arrestimin e këtij shtetasi.
Burime për mediat bëjnë me dije se gjatë momentit të ngjarjes ai ka qenë i veshur me tuta dhe bluzë gri, gjithashtu mbante të vendosur dhe një kapele të zezë.