Në Ksamil, përgatitjet për sezonin turistik të verës kanë filluar, me përpjekjet për zgjerimin e sipërfaqes së plazheve. Rreth 1200 metër kub rërë gëlqerore e transportuar buzë detit nga guroret është duke u shtresëzuar mbi materialin autokton të Ksamilit në të gjithë hapësirën e plazheve që kontraktohen nga subjekte private.
Ekspertët e mjedisit dhe organizatat që po lobojnë për turizëm të qëndrueshëm e kanë vlerësuar këtë situatë si shumë problematike dhe me efekte negative në turizëm. Rëra përveçse nuk ka asnjë efekt kurativ çka është edhe pritshmëria e vizitorëve mund të rezultojë e rrezikshme për shëndetin e njerëzve, habitatin natyror dhe botën e ujit. Parametrat e kokrrizave natyrale të rërës në Ksamil janë 0,5 mm ndërsa ky material që po depozitohet është gati në trajtë pluhuri.
Kristo Kauri ekspert mjedisi liston një numër dëmesh që i janë shkaktuar Ksamilit gjatë 3 dekadave të fundit duke degraduar 50% të habitatit natyror e nëse ky kërcënim sipas tij nuk do ndalet efektet në mjedis dhe turizëm mund të jenë jo premtuese. Ndërhyrjet e deritanishme duke nisur me ndotjen e tokës dhe të ujit kanë larguar nga bregu me gati 40 m habitatin e leshterikëve si dhe kanë përgjysmuar sipërfaqen e tyre në raport me 30 vjet më parë. Bashkë me to disa specie të ujit pothuajse janë zhdukur.
Bizneset e turizmit do të duhet të ndërgjegjësohen për këtë situatë problematike që po reflektohet vit pas viti në përshtypjet e vizitorëve thotë Soraldo Nebo që drejton një organizatë turizmi në rajon.
Komuniteti që është i shqetësuar për gjendjen ka kërkuar prej autoriteteve verifikimin e lejeve mjedisore në lidhje me rërën e sjellë në Ksamil. Gjithashtu ata kërkojnë zbatimin e standardeve lidhur me miratimin e hapësirave për plazhe e kontrollin e menaxhimit të tyre në mënyrë që të evitohet mbipopullimi i buzës së detit që po rezulton me pasoja në mjedis dhe shëndet./ Top Channel