E pranishme në protestën e dytë për vrasjen e 14-vjeçarit Martin Cani ishte edhe motra e Egli Progës, i cili u vra më 10 gusht në Pogradec. Në fjalimin e saj prekës, Jonida Proga, tha se ky vend është kthyer në skenë krimi dhe prindërit e Martinit nuk kërkojnë asgjë veçse të largohen, sikurse tha ajo veproi edhe familja e saj pas vrasjes në Pogradec. Ajo u tha të gjithëve të bëhen bashkë dhe të kërkojmë drejtësi hyjnore, jo juridike.
“Ju tashmë më njihni, vazhdoj të jem motra e Egli Progës. Erdha sot për Martinin, çfarë zemre duhet të ketë një nënë që as nuk mallkon e as nuk kërkon hakmarrje për kasapin e djalit të saj. A ka njeri në Shqipëri të ma thotë? Florina vetëm vajton e vajton dhe nuk kërkon asgjë, e as drejtësi. Ku është Vilma Përleshi, nëna e vrasësit, përse nuk flet, pse nuk e përqafon Florinën që vetëm qan e qan dhe nuk fajëson askënd. Ku do gjeni ju prindër më të paqtë se prindërit e Martinit që u iki drita e syve dhe s’kërkojnë asgjë vetëm të ikin nga sytë këmbët nga ky vend? Prindërit e Martinit duan të ikin jashtë Shqipërisë e të harrojnë këtë vend që është kthyer në vend krimi. Edhe familja ime iku nga Pogradeci i banditëve, erdhi në Tiranë se nuk mund të qëndrojnë në atë vend krimi. Edhe sa fëmijë të tjerë duhet të vriten me jataganë nëpër shkolla? Kush e rikthen Martinin në këtë jetë, jatagani i drejtësisë? Po Egli Progën kush do ta takojë me fëmijët e tij? Gjykata e Korçës që do dënojë maskarenjtë që e dhunuan pa asnjë shkak? Unë jam këtu për të bërë thirrje publike, për ata që kanë fëmijë, vëllezër motra, prindër që jetojnë të pasigurt në këtë vend që është kthyer në skenë krimi; ngrihuni dhe mos lejoni më t’iu vriten të dashurit dhe të afërmit tuaj. Bëhuni bashkë! Të kërkojmë drejtësi hyjnore dhe jo juridike. Si do ta kërkojmë? Ja këtu do ta fillojmë, sot do kërkojmë përgjegjës moral për therjen e Martinit. Nuk janë prindërit e vrasësit përgjegjësit moral ata të hetohen si pronarë të jataganit. U them mësuesve që ju jeni vrasësit. Nuk ka mundësi që 10-t në fletoren e vrasësit të qëndrojë krah për krah me jataganin”.
Jonida Proga i bëri thirrje policisë që të mos bëjë të njëjtën gjë si me vëllain e saj dhe kërkoi drejtësi dhe përgjegjësi nga institucionet për vrasjen e Martinit.
“I bëj thirrje policisë, mos bëj të njëjtin marifet si me vëllain tim. Por të gjejë jataganin dhe vrasësin tjetër e të mos justifikohet, por të vetëfajësohet. Kush del me jatagan në moshën 14-vjeçare. Qeveri po të thërras, po rrit kriminelë, ke përgjegjësi për atë që vrau Martinin. I bëj thirrje popullit të na bashkohen, t’i bashkohen dhimbjes sonë. Mos bëni sehir, por ngrihuni dhe bashkojuni Florinës”.