Një 31 vjeçare, nënë e katër fëmijëve ka humbur jetën pasi u mbyt me duar nga bashkëshorti i saj 10 vite më i madh.
Mediat italiane shkruajnë se Etleva Bodi, një amvise me origjinë shqiptare, por banuese prej kohësh në qytetin e Ligurisë, vdiq mbrëmjen e së dielës së 29 tetorit. Ajo u mbyt nga bashkëshorti i saj, Selami Bodi, një punëtor ndërtimi 41-vjeçar shqiptar, në dhomën e tyre të gjumit, në lagjen qendrore Villapiana. Çifti ka katër fëmijë të vegjël, të gjithë të mitur, të moshës nga 5 deri në 11 vjeç.
Gruaja qëndroi 48 orë në një spital në San Paolo në Savona, ku ishte në koma pas asaj që i bëri bashkëshorti. Të dielën në mbrëmje mjekët e deklaruan gruan të vdekur. Gjendja e saj u shfaq menjëherë e dëshpëruar për shpëtimtarët, të cilët hynë në shtëpi me policinë dhe e gjetën tridhjetë e një vjeçaren pa puls.
Sipas një rikonstruksioni fillestar, natën mes të premtes dhe të shtunës, burri dhe gruaja kishin debatuar: gruaja ishte mbyllur në dhomën e gjumit dhe kishte marrë në telefon, nuk dihet se kë. I shoqi e kishte dëgjuar duke folur, hapi derën dhe i vuri duart në qafë duke e mbytur. Ai e lëshoi vetëm kur ajo nuk merrte më frymë. Pastaj ai vetë thirri për ndihmë. Pas tetëdhjetë minutash rraskapitëse reanimimi dhe dhjetë injeksione adrenaline, mjekët kishin arritur të riaktivizonin funksionet jetësore të gruas. Por të dielën në mbrëmje në spital, shpresat pushuan.
Katër fëmijët e vegjël ia besuan një xhaxhai
Selami Bodi u arrestua dhe ndodhet në burg në Marassi (Xhenova), i akuzuar për vrasje të rëndë për shkaqe të parëndësishme dhe për faktin se vepra është kryer ndaj bashkëshortes së tij. Punonjësi nuk ka precedentë penalë dhe nuk ka raportime për keqtrajtim nga gruaja e tij, as raportime të tjera për marrëdhënie të dhunshme. Ai ka pranuar se javët e fundit debatet me gruan e tij shtëpiake ishin gjithnjë e më të shpeshta: Selami Bodi është i njohur në komunitetin mysliman të Savonës. Vrasja e gruas ka ndodhur teksa fëmijët kanë qenë duke fjetur në dhomat e tjera të shtëpisë. Për momentin, katër fëmijët i janë besuar një xhaxhai: ata janë një tjetër rast ku ngelin jetim prej feminicidit.