Ministrja e Asimit, Ogerta Manastirliu, ka njoftuar se në mbledhjen e sotme të qeverisë (6 mars) është miratuar vendimi për mbylljen për një vit të platformës TikTok.
“Kemi zhvilluar konsultime të gjera me prindërit, për sigurinë e fëmijëve në mjedisin digjital dhe efektet që sjellin në gjendjen psiko-emocionale te fëmijët platformat e rrjeteve sociale. Kanë qenë pro mbylljes apo kufizimit për TikTok.
Kemi rekomanduar mbylljen apo kufizimin e aksesit për 12 muaj, periudhe që do të na lejojë kohën për marrjen e masave në bashkërendim me përfaqësuesit e TikTok.”, tha Manastirliu.
Ministrja tha se është një vendim që ka në fokus interesin e fëmijëve dhe sigurinë publike në mjedisin digjital.
Ndërprerja e aksesit në Tiktok, tha Manastirliu, do të bëhet nga Agjencia Kombëtare e Sigurisë Kibernetike, brenda një periudhe të shkurtër kohore, që do jetë për disa ditë ose një javë e pak.
Ndërkohë krey i PD-së Sali Berisha ka thirrur protestë me 15 mars, pas vendimit të qeverisë për mbylljen e tiktok.
Berisha tha se vendimi i qeverisë për mbylljen e platformës, është akt censure dhe dëshmi se kryeministri Edi Rama ka frikë nga mendimi dhe fjala e lirë.
“Në këtë rast, ftoj të gjithë gjimnazistët, të gjithë të rinjtë, të gjithë qytetarët, të nisim betejën tonë për çlirim e TikTik dhe përmbysjen e diktatorit më datën 15 mars protestë kombëtare në Sheshin Skënderbej para Kryeministrisë. Një protestë në të cilën kërkohet anulimi i menjëhershëm i vendimit për censurën dhe bllokimin e TikTokut”, tha ai.