Ministria e Brendshme italiane ka vendosur në zbatim protokollin e marrëveshjes së arritur ndërmjet Romës dhe Tiranës, duke nisur konsultimin paraprak të tregut për të gjetur një anije me ekuipazh që do të shërbejë për të zbarkuar në qendrën e pritjes në Shëngjin emigrantët që nisen nga Afrika dhe kapen në Detin Mesdhe.
Sipas mediave italiane qeverisë së Melonit do t’i kushtojë një “maksimum” deri në 13.5 milionë euro marrja me qira e një anije për 90 ditë së bashku me kontratat që do të lidhen me ekuipazhin e saj, në mënyrë që të garantohet transportimi i emigrantëve të shpëtuar në Detin Mesdhe drejt portit të Shëngjinit, në Shqipëri.
Sipas marrëveshjes kontrata me shumë gjasë do të jetë tre mujore dhe anija e kontraktuar do të operojë për llogari të shtetit italian nga 15 shtatori deri më 15 dhjetor 2024.
200 emigrantë dhe 100 operatorë në bord
Një kërkesë, “jo detyruese” mund të lexohet në specifikimet teknike për shërbimin, ku pika e grumbullimit të emigrantëve identifikohet rreth 15/20 milje detare në jug-jug/perëndim të ishullit të Lampeduzës. Flitet për një transport prej “rreth 300 njësi” (200 emigrantë dhe 100 operatorë), dhe “tre deri në katër udhëtime në muaj (vajtje-ardhje)”.
Operacioni zgjat në 6 ditë
Koha e lundrimit në dokumentin e Ministrisë së Brendshme llogaritet të jetë rreth 50 orë, nga pika e marrjes deri në destinacion për. Kohëzgjatja e çdo operacioni mund të jetë nga 5 deri në 6 ditë, duke përfshirë këtu edhe “transportimin e emigrantëve, aktivitetin e qendrës, transportin për në Shqipëri, aktivitetet e zbarkimit dhe kthimin në zonën e operacionit”.
Kushtet për anijen
Ndër kërkesat për anijen, janë kapaciteti për të transportuar afërsisht 300 pasagjerë, 200 emigrantë plus 100 operatorë; një minimum prej 50 kabina, secila me një maksimum prej dy shtretër; një draft (lartësia e pjesës së bykut që mbetet e zhytur) më pak se 5 metra, që të jetë e përshtatshme për ankorim në portin e Shëngjinit; një dhomë për ekzaminimin e emigrantëve; një për t’u përdorur si dhomë sigurie për nevojat e policisë gjyqësore; një dhomë për infermierinë; dhe zona për karantinë të mundshme.
“Shërbimi i menaxhimit të anijes do të jetë përgjegjësi e operatorit me të gjitha detyrimet dhe përgjegjësitë”, saktësohet në draftin italian. Për më tepër, ekzekutimi i shërbimit përfshin furnizimin e mallrave dhe produkteve ushqimore, si dhe përgatitjen e ushqimeve të larmishme në lidhje me porositë fetare apo ndonjë problem shëndetësor. Nëse tejkalohet mesatarja prej 300 individë për ditët e kohëzgjatjes së kontratës, do të njihet një “kosto shtesë për frymë prej 40 euro/ditë për numrin e pasagjerëve të tepërt“.
Në kapitullin e fundit të dokumentit thuhet se nëse distanca e lundrimit për kohëzgjatjen e kontratës do të jetë më e vogël se 6 mijë milje detare, kostoja e qirasë për anijen do të ulet me 15%.