Në Shqipëri ndodhet një rrugë nëpër të cilën kalojnë vetëm premtimet. Ajo ka një fillim, por nuk e ka një fund. Nuk bëhet fjalë për skajet e saj që dihen tashmë, Qukësi dhe Qafë Plloça, por për kohën e ndërtimit që nis në vitin 2009 dhe që për 14 vite nuk ka udhëtuar askush.
Para zhvillimit të zgjedhjeve të vitit 2009, ish-kryeministri Sali Berisha njoftoi fillimin e punimeve të një rruge që do të ngrihej mbi gjurmët e rrugës së lashtë Egnatia, aty ku në shekuj karvanët e parardhësve tanë lëviznin për tregti e qëllime të tjera. Ndërsa për kohën tonë, ajo do shkurtojë kohën e lëvizjes mes Qendrës dhe Juglindjes dhe do të nxjerrë nga izolimi një numër të madh fshatrash që i përkasin Librazhdit e Pogradecit.
I ftuar në Money, Evis Berberi, Drejtor i Autoritetit Rrugor Shqiptar deklaroi: “Rruga që nuk po mbaron kurrë, ka nisur për të mos mbaruar. Pra, është bërë një vijë në hartë. Është tenderuar me urgjencë të madhe sepse ishte pushteti i qeverisë Berisha. Ishte fundi i asaj qeverie dhe u tenderua. Në lotin e tretë që financohet sot nga fondi saudit nuk kishte as fonde. Pasi mbaruan punimet, u kuptuan edhe gabimet e projektit. Kjo coi në rifinancimin nga fondi saudit dhe banka islamike për zhvillim. Pas negociatave të gjata dhe ratifikimit të gjitha procedurave në parlament, u bë i mundur financimi dhe dakordësimi përfundimtar i një projekti të studiuar mirë. U bë një oponencë e fortë nga Univ. Politeknik i Tiranës për të pasur një projekt sa më të qartë dhe u fillua puna me ritme të shpejta, sic e keni vënë re”.
Pas zhvillimit të zgjedhjeve 2009, në mandatin 4-vjecar të qeverisë Berisha, u ndërtuan vetëm 3 kilometra nga 43 gjithësej. Rruga nuk mbaroi në 2013-ën dhe nuk mbaroi as në 2023-shin.
Spartak Tarka, Inxhinier ndërtimi dhe transporti, deklaroi për Money se problematikat në terren si dhe ato financiare kanë qenë arsyet pse rruga nuk ka përfunduar ende.
“Rruga ka zgjatur jashtë mase. Kjo rrugë ka pasur problematika shumë të rënda të cilat kanë penguar ndërtimin, por edhe problemet e financimit kanë ndikuar që kjo rrugë mos ndërtohet në kohën e duhur. Kjo rrugë ka nisur në vitin 2009. Me financim të buxhetit të shtetit janë bërë 3 km e para. Kjo rrugë devijon rrugën kryesore që lidh Librazhdin me Pogradecin”, tha ai.
Inxhinieri Romeo Nazarko tha se rruga filloi pa një projekt, çka bëri që të mos njihet paraprakisht formacioni gjeologjik.
“Pjesa e fillimit të kësaj rruge pa një projekt të detajuar, siç njeh inxhinieria. Shteti shqiptar duke u mbështetur në një projektide filloi punimet dhe kjo solli pasoja për shkak të formacionit gjeologjik dhe projektit në një gjurmë jo të saktë sollën pasoja e vonesa në punime”, tha ai.