Prindërit e Martin Canit, 14-vjeçarit që u vra me thike nga bashkëmoshatari i tij, pranë shkollës Fan Noli, kanë thyer heshtjen, duke reaguar për herë të parë publikisht për ngjarjen.
Mes dhimbjes së madhe për humbjen e djalit, Florina dhe Engjëlli kanë rrëfyer si e mësuan lajmin e kobshëm të vdekjes së të birit.
“Falenderoj gjithë shqiptarët që u sensibilizuan për djalin tim, për dhimbjen e thellë që na ka ndodhur ne. Uroj të gjithë njerëzit të dhurojnë bzëqeshje mirësi dhe paqe për të gjithë. Dua të falenderoj gjithë stadiumin Air Albania që mbajtën një minutë heshtje për djalin tim, FSHF-në, trajnerët e djalit tim dhe kampionin tim”, tha me ngashërim babai.
Engjëll Cani: Unë e mora vesh rastësisht, po punoja në një hotel, më merr nusja në telefon dhe më thotë “merre mësuesin se ka shkuar në spital”. Mendoja se mund të ketë bërë ndonjë sherr të vogël, ose mund të ketë pasur ndonjë goditje ose diçka. Mora mësuesen dhe nuk më përgjigjej, mora përsëri dhe ika tek Spitali Ushtarak. Më thanë që djali juaj është në sallë të operacionit dhe është goditur vetëm një herë, ka mundësi të shpëtojë. Pas 1 orë ore, ose gjysëm ore nuk e di se kam qenë i tronditur, më thirrën doktorët dhe më thanë që nuk mundi të mbijetojë Martini, i kishte prekur zemrën.
Florina Cani: Më njoftoi mësuesja, më thanë se ka ndodhur një sherr. Nuk kishim dijeni. Ai ishte fëmijë që nuk bënte sherr me njeri. Ishte lider.
“Ne nuk jemi njerëz që duam hakmarrje, duam paqe duam të punojmë, ne duam të largohemi nga këtu, të shkojmë në SHBA te vëllai im. Mos i ndodhtë askujt. Dua ti jap mesazh njerëzve, askush nuk do ta bëjë djalin kriminel, këtë e besoj”, u shpreh i ati.
Nëna e të miturit, zemërthyer tha: “Ishte shumë fëmijë i dashur, ku ta gjej djalin unë? Martini thoshte do bëhem futbollist i madh”.