Autoriteti i Konkurrencës ka kërkuar të dhëna nga Drejtoria e Përgjithshme të Tatimeve dhe Drejtoria e Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor në lidhje me deklaratat e ditëve të fundit për rritjen e çmimit të patentës. Me një njoftim zyrtar, Autoriteti i Konkurrencës ka nisur procedurat për vlerësimin e marrëveshjeve duke marrë shkasë nga të gjitha shqetësimet publike që janë bërë nga të gjithë qytetarët. Ndaj për të dalë në një vendim ka kërkuar që DPSHTRR që të japë më shumë detaje dhe informacion për shkaqet që kanë sjellë rritjen e çmimit.
NJOFTIMI I PLOTË:
Autoriteti i Konkurrencës, nisur nga disa shqetësime të bëra publike nga media në lidhje me marrëveshjen ndërmjet Grupeve të interesit përfaqësues të autoshkollave (Shoqata “Kombëtare e Autoshkollave” dhe Shoqata e Autoshkollave “Siguria në rrugë”), Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor mbi përcaktimin e kostos minimale fiskale (tarifat e pagesës) së përgatitjes për drejtues mjeti, ka nisur procedurat për vlerësimin e kësaj marrëveshje në kuptim të ligjit nr. 9121/2003 “Për mbrojtjen e konkurrencës”.
Ligji nr. 9121/2003 “Për mbrojtjen e konkurrencës” ndalon të gjitha marrëveshjet të cilat kanë si objekt ose si pasojë pengimin, kufizimin ose shtrembërimin e konkurrencës në treg, veçanërisht marrëveshjet që caktojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë, çmimet e blerjes ose të shitjes, apo çdo kusht tjetër tregtimi. Autoriteti i Konkurrencës, në zbatim të neneve 69 dhe 70 të ligjit nr. 9121 datë 28.07.2003 “Për Mbrojtjen e Konkurrencës”, vlerëson shkallën e kufizimit ose të pengimit të konkurrencës që rrjedh nga projekt aktet që kanë të bëjnë me: kufizimet sasiore për hyrjen në treg dhe tregtimin; vendosjen e të drejtave ekskluzive ose të të drejtave të veçanta, në zona të caktuara, për ndërmarrje ose për produkte të caktuara; imponimin e praktikave të njëjta në çmime dhe kushtet e shitjes.
Për sa më sipër , Autoriteti i Konkurrencës ka kërkuar informacion nga Drejtoria e Përgjithshme të Tatimeve dhe Drejtoria e Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor, me qëllim vlerësimin e kufizimeve të mundshme të konkurrencës në tregun përkatës.
Lajmi për dyfishimin e çmimit të patentave ka marrë shumë vëmendje në publik që nga dalja e tij. Nga 10 marsi, për të marrë një leje drejtimi të kategorisë B qytetarët këtë vit do duhet të paguajnë minimum nga 85 mijë Lekë. Ky dyfishim i çmimit vjen pas një marrëveshjeje të nënshkruar nga DPSHTRR, DPT dhe shoqata e autoshkollave, që kanë dakordësuar çmimet minimale të unifikuara për orët teorike dhe praktike. Nga marsi, një seancë mësimore në praktikë në autoshkolla do të kushtojë minimumi 500 Lekë, ndërsa një seancë praktike 935 Lekë.