28 mijë fëmijë mëngjesin e këtij 9 shtatori u ulën për herë të parë në bankat e shkollës.
E në këtë ditë një realitet i trishtë po përcillet nga qarku i Korçës ku numri i regjistrimeve ka rënë ndjeshëm duke sjellë dhe mbylljen e klasave dhe shkollave.
Mësohet se këtë vit shkollor ka pasur më pak nxënës të regjistruar në klasat e para dhe të dhjeta, po ashtu edhe shkolla e klasa të mbyllura.
Numri i regjistrimeve në klasën e parë ka qenë 1302, nga 1698 që ishin një vit më parë, ndërsa për klasën e dhjetë ka qenë 1277, përkundrejt 1779 nxënësve në vitin e shkuar. Numri i nxënësve në total në rang qarku është 21080.
Si pasojë e mungesës së nxënësve në ZVAP Kolonjë është mbyllur shkolla e ciklit fillor Kodras, ndërsa në ZVAP Devoll i është vënë kyçi shkollës së ciklit fillor në Kapshticë.
Edhe në Maliq janë mbyllur 4 shkolla fillore, në fshatrat Mjaltas, Desmire, Zvarisht, Osoje. Janë mbyllur klasa në shkollat e fshatrave Shqitas, Podgorie, Vreshtas, Zemblak, Orman, Strelce, Marjan.
Në shkollën Kamenicë, u mbyllen 2 klasa të ciklit fillor dhe një klasë e ciklit të lartë. Edhe në shkollën Floq u mbyll 1 klasë e ciklit të lartë.