Prokuroria e Tiranës ka çuar për gjykim dosjen e Renato Bodurrit, i akuzuar për konsumimin e veprës penale “Goditje për shkak të detyrës”, kryer në bashkëpunim, ndaj shtetasit Gjergj Zefi, administrator i portalit “Pamfleti”.
Kjo ngjarje ka ndodhur më 3 tetor të vitit 2023 ku bazuar në hetime dhe në pamjet filmike, Renato Bodurri së bashku me disa persona ende të paidentifikuar, kanë goditur rëndë me shkopa shtetasin Gjergj Zefi dhe më pas janë larguar nga vendi i ngjarjes me një makinë të zezë.
Gjergj Zefi është paraqitur në spitalin e Traumës për ndihmë mjekësore me demtime të rënda në pjesën e pasme të kokës, krahë, buzën e poshtme dhe këmbët, duke mos kujtuar se çfarë kishte ndodhur.
“Prokuroria e Tiranës ka dërguar për gjykim shtetasin R.B. për veprën penale ‘Goditje për shkak të detyrës’ në bashkëpunim, parashikuar nga neni 237/1 dhe 25 i Kodit Penal. Viktimë e ngjarjes është administratori i portalit online ‘Pamfleti’, shtetasi Gj.Z.
Sipas hetimeve të kryera në kuadër të procedimit penal nr. 6833, Prokuroria konstatoi se R.B., në bashkëpunim me persona të tjerë ende të paidentifikuar, ka goditur shtetasin Gj.Z. Hetimet nisën pas referimeve nga Komisariati i Policisë nr. 3, pasi viktima u paraqit në Spitalin e Traumës me dëmtime në kokë, krah, buzën e poshtme dhe këmbët, duke mos kujtuar çfarë kishte ndodhur.
Pamjet filmike nga zona dhe dëshmia e një banori, i cili pa disa persona teksa godisnin Gj.Z. me shkop dhe largoheshin me një makinë të zezë, ndihmuan në identifikimin e automjetit të përdorur nga autorët.
Në përfundim të hetimeve, Prokuroria ka vendosur të çojë çështjen në gjyq, ndërsa hetimet për personat e tjerë të përfshirë vijojnë,” thuhet në njoftimin e Prokurorisë së Tiranës.