“Bëj vajzën operim në gjoks, është 44 vjeç, shumë e vështirë, mjerë kujt i bie.
Ky është rrëfimi i një nëne e cila dhimbjen për të bijën e ka mbyllur fort brenda mureve të shpirtit të saj e nuk do ta shfaqë në sy të dy mbesave, me të cilat pret në ankth në dyert e spitalit onkologjik që vajza të dalë shëndoshë e mirë nga salla, ku po kryhet ndërhyrja kirurgjikale.
“Si i themi ne nga Dibra, fëmija ta fut kokën në zjarr. Ka dy vjet që i ka vdekur edhe i shoqi dhe është dhe me dy vajza jetime”, tha gruaja.
“Ka marrë mjekime deri tani, muajin e fundit i thanë që duhet ta bëjë operacion. Jemi ngritur në orën 2 të mëngjesit, kemi udhëtuar gjithë natën e në orën tetë ishim te dera e spitalit”, tha ajo.
Nuk mjafton dhimbja për vajzën, por për të përballuar këto sëmundje ka kosto të mëdha financiare aq me tepër kur vjen nga qytete apo fshatra larg Tiranës.
“Mos e pyet. 70 mijë lekë ka shkuar vetëm makina”, shprehet ajo.
Ky rrëfim i nënës duhet të ngrejë në këmbë çdo grua për një kontroll të gjirit, pasi nëse diagnostikohesh në kohë, jo vetëm shpëton jetën, por shpëton dhe familjarët nga një kalvar i gjatë dhimbjeje shpirtërore dhe të stërmundueshëm./ Top Channel