Shqiptarët po përballen me çmime aq të larta sa nuk i kanë hasur ndër vite. Ky Vit i Ri do të sjellë mungesën e shumë ushqimeve në tryezat e tyre. Një tregtar që shet në krye të tregut te ish-Uzina Dinamo, ka treguar për gazeta Si se “Në kaq shumë vite punë, nuk e mbaj mend herën e fundit kur blerjet e qytetarëve në tregjet me pakicë ishin aq të pakta”.
Inflacioni është rritur ndjeshëm, ama askush nuk po mban përgjegjësi për këtë. Fundi i vitit sjell gjithmonë rritjen e çmimit të ushqimeve të shportës, ama këtë herë rritja nuk po përballohet. Qytetarët thonë se për ata që nuk kanë kursime, kjo periudhë është shumë e vështirë për të mbijetuar.
Konsumatorët ndihen krejt të pambrojtur karshi kësaj rritje çmimesh. Tregjet e pakicës në kryeqytet janë lajmëruar nga grosistët se gjatë dhjetorit do të ketë një rritje të mëtejshme çmimesh kryesisht për bulmetin dhe mishin e nënproduktet e tij. Kjo valë e re do diktohet edhe nga kërkesa e shtuar në treg nga emigrantët që pritet të rikthehen për periudhën e festave.
“Kuzhina shqiptare është e bazuar te mishi, ndaj konsumi i tij pritet të rritet ndjeshëm edhe nga rritja e numrit të vizitorëve. Por reduktimi i prodhimit dhe kjo kërkesë më e madhe nga restorantet do ndikojë shpejt në rritjen e çmimeve”, tha për Gazetasi.al një tregtar mishi. Gazetasi.al tha se që tani çmimi i gjalpit në supermarketet shqiptare është rritur 30-35% duke arritur në 1700 lekë/kg nga 1200 lekë që ishte në tetor.
“Në dhjetor mund të ketë sërish një rritje të lehtë çmimesh për shkak se atëherë janë edhe përgatitjet më të mëdha për bakllavanë, për të cilën gjalpi është ingridient kryesor”, tha një tregtar.
Edhe produktet e tjera të bulmetit kanë ndjerë rritje, kryesisht gjiza edhe djathi. Kjo për shkak të rënies së numrit të krerëve të bagëtive, shtrenjtimit të kostove, energjisë e gazit. Në buletinin e tetorit ku inflacioni arriti nivelin 8.3%, INSTAT raportoi se brenda grupit të ushqimeve, çmimet e nëngrupit “qumësht, djathë dhe vezë” u rritën me 24.3 %, “bukë dhe drithra” me 17.1%, “mish” me 12.4 % dhe “zarzavate përfshirë patatet” patën një rritje me 11.8 %. Prodhuesit dhe tregtarët vendas thonë për Gazetasi.al se janë të shqetësuar se, ndërsa do vazhdojnë të furnizohen me çmime shumë të larta, në tregun e brendshëm do vijojë të ushtrojë presion ulja e konsumit.
Source of the news: Gazeta Si