rej pak kohësh duket se vendi ynë kishte rënë në qetësi përsa i përket atentateve mafioze apo ngjarjeve të rënda të shkaktuara nga hakmarrja apo prishja e pazareve të drogës.
Megjithatë 24-orëshi i fundit ka sjellë 2 viktima dhe 3 të plagosur. Ngjarja e ndodhur mëngjesin e së martës solli emra të njohur edhe për opinionin publik.
Emra të dëgjuar që dhe pa patur mirë ndërmend kronologjinë e ngjarjeve na sjellin në vëmendje ato që i kemi konsideruar hasmëri mes grupeve të mëdha apo familjeve.
Kjo na rikthen në vëmendje një problematikë që e kemi hasur shpesh në kohët e fundit, atë të familjeve që mbizotërojnë ose ato familje që tentojnë të kontrollojnë hapësira në qytete të ndryshme të vendit.
Viktima e parë është Martin Bardhi, vrasje e ndodhur të martën në mëngjes vetëm 50 metra larg Komisariatit të Rrëshenit, në mes të ditës, në prezencë të shumë kalimtarëve.
Vrasja tjetër ka ndodhur pak pas mesnate në zonën e Sukthit. Bëhet fjalë për Fatjon Dervishin, edhe ai një 38-vjeçar i vrarë në atentat. Edhe këtu flitet për larje hesapesh, precedentë të kaluar penalë.
Por çfarë ndodh me ato që i kemi quajtur vrasje të paralajmëruara?
Për shkak të ngjarjeve të hershme, të personazheve të njohur që shpeshherë përplasen me njëri-tjetrin, të viktimave të prodhuara ndër vite. Si duhet të veprojë policia? Pse këta njerëz janë të lirë? Pse këta njerëz janë të pamonitoruar?
Përsa i përket vrasjes së ndodhur në Rreshen, gazetari Sokol Bregu, flet për një sagë të madhe.
“Ajo që ndodh në Mirditë, është ndryshe nga të gjithë zonat e vendit. Të gjitha historitë e gjakmarrjes në Shqipëri, po fillojnë të ndryshojnë. Kanuni ndryshon, mënyrat, zakonet. Dhe e vetmja gjë që nuk po ndryshon, mbetet në Mirditë. Viktima e dinte që do qëllohej. Dhe vrasësi ishte po aty një ditë më parë. Policia e ka të dyshuar kryesor për ngjarjen, por problemi është që nuk i gjen dot një provë fizike të të qenurit e tij në vendin e ngjarjes. Policia e pret vrasjen, por nuk e parandalon dot. Mirditorët siç presin të vrasin, ashtu dhe presin të vriten. Ata e lenë të lirë njëri-tjetrin. Nuk është një histori kanunore e zakonshme që duhen të ruhen të ngujuar. Ata kanë një dekadë që e presin të vriten ose të vrasin. Deri tani ndër vite janë 7 vrasje,” tha gazetari në Top Talk në Top Channel.
“Historia më e rrallë e gjakmarrjeve në Shqipëri“
“Kjo është historia më e rrallë e gjakmarrjeve në Shqipëri për mua. Nuk e njohin dhe pas çdo vrasje ka vetëm një klerik që kërkon pafundësisht pajtimin mes dy fiseve, dhe nuk mund ta bëjë.
Ata shpesh telefonojnë dhe median dhe thonë që nuk kemi gjë me njëri-tjetrin. As dy familjet nuk e pranojnë që kanë probleme me njëra-tjetrën. Dhe mes tyre vrasin. Zanafilla është me një vrasje para 30 viteve. Nuk më harrohet vrasja e Kastriot Reçit me snajper. Është vrasja me armën më të sofistikuar ndonjëherë në Shqipëri. Është përdorur snajperisti më i mirë që kemi në Shqipëri.
Nuk dihet si u dërgua deri në Rrëshen. Snajperisti aty ruajti erën, kohën, i vrarë nga 300 metra. Kjo vrasje nuk është me pagesë, është ndjenjë hakmarrjeje e drejtpërdrejtë. Me atë gjaknxehtësi që ishte vrsësësi i djeshëm mund të kishte vrarë dhe të gjithë lokalin,” tha Bregu.
Pse u arrestua Martin Bardhi
Ndërkohë gazetarja Anila Hoxha shtron pyetjen se pse u arrestua dhe lirua Martin Bardhi.
“Bardhi u arrestua për një konflikt shumë banal në dukje. U servir ndryshe, por përplasja ishte me një anëtar të familjes Reçi. Kjo familje futet tek ato që ne i quajmë të forta dhe të paprekshme. Ajo që shkruante policia, ishte për shkak se djali i Martin Bardhit, Enriku, ka qenë duke bërë xhiro në Rrëshen. Saimir Reçi sfidohet nga kjo prezencë e tij dhe këtu nis i gjithë incidenti. Pati një konfrontim me shuplaka dhe menjëherë pas kësaj u ngrit dhe akuza që ishte dhe Martin Bardhi aty. Bardhi kishte prova se nuk ishte aty dhe prandaj i ngeli vetëm akuza e armëmbajtjes pa leje. Ka një keqkuptim, ne po e bëjmë Bardhin pjesë të familjes Gjini, që është familja historike në hasmëri me familjen Reçi që kanë këtë sagën e vrasjeve.
Bardhi rastësisht ka qenë në tavolinë me një pjesëtar me mbiemër Gjini, por që nuk është pjesëtar i familjes që është në hamsëri me familjen Reçi.
Martin Bardhi u ngrit një fabul se deshi të vrasë nipin e Kastriot Reçit. Duhet vërtetuar nëse incidenti i marsit ishte i këtyre përmasave sa familja Reçi nuk mundi ta falte.
Në rastet e Rrëshenit të gjitha kamerat e sigurisë kanë funksionuar. Dihen lëvizjet, njerëzit e njohin njëri-tjetrin. Është një qytet i mirë-monitoruar. Është gjë tjetër nëse dëshmitarët nuk tregojnë dhe flasin,” tha gazetarja Hoxha.
“Në zona të tilla si Mirdita, Kukësi apo Kopliku, jetohet në këtë lloj forme”
Sipas gazetarit Sokol Bregu, nëse të godasin, të rrahin, tentojnë të të vrasin, në publik aty duhet të marrësh hak.
“Në zona të tilla si Mirdita, Kukësi apo Kopliku, jetohet në këtë lloj forme. Armiku i armikut tim është miku im, kjo është logjika e historisë në koncept,” thotë gazetari Bregu.
“Këta familje qarkullojnë shumë para, punojnë jashtë Shqipërisë. Kanë fitimet e tyre e prandaj nuk largohen nga Rrësheni. Rrësheni është një qytet i thjeshtë, pa asnjë bukuri natyrore. Ai nuk largohet se ka zakonet atje. Nuk ikin nga aty se aty kanë krenarinë familjare, dhe i bie prestigji. Kanë traditat e zakonet e nuk duan të ndërhyjë njeri. Edhe kur të lë unë profesionin, edhe gazetari i ri do të dëgjojë për vrasjet mes këtyre fiseve,” shtoi gazetari.
Eksperti Ervin Karamuço nga ana tjetër e konsideroi të pafalshëm faktin se vetëm pak metra nga Komisariati ndodh një ngjarje e tillë e të mos kishte asnjë polic të gatshëm patrullë.
1174 familje të ngujuara, 1000 më shumë se 10 vite më parë
“Problemi qëndron këtu, në 2013 kemi pasur 254 familje të ngujuara. Në 2017 shkoi 704 dhe sot që flasim është 1174. Por këta të ngujuar nuk janë të gjithë aktualisht në Shqipëri. Fëmijë e gra largohen. Kërkojnë azil e mbrojtje nga një vend i huaj.
Por ne nuk e kemi thënë ndonjëherë të vërtetën. Të gjitha krimet që ndodhen në këto 20 vjet kanë një gjenezë: drogën. Konfliktet nuk lindin rastësisht. Vrasje të tilla ndodhin për arsye të forta, që vijnë kryesisht si pasojë e prishjes së pazareve të drogës. Policia i di këto, dhe nuk merr dot masa. Policia i di zaptuesit e tokës. Dhe më pas nisin përplasjet për çmimin, linjat e çdo gjë.
Gjysma e policisë mbyll sytë se ka frikë. Gjysma nganjëherë shkelin syrin e marrin ndonjë para. Të tjerët janë të paaftë, të tjerët bëjnë sikur punojnë.
Është vënë re që këta familje kanë fuqi të mëdha e pushtet, heqin njerëz nga puna,” u shpreh Karamuço.