Ish-kryeministri Sali Berisha ka akuzuar drejtpërdrejt Edi Ramën, se qëndron pas vrasjes së biznesmenit të basteve, Ervis Martinaj. Edhe përse fati i tij nuk dihet, Berisha e ka bërë fakt vrasjen dhe thotë se porositës është kryeministri i vendit.
Ai i është referuar bisedave në aplikacionin e komunikimeve të koduara “SKY ECC” mes Behar Bajrit dhe Ervis Martinaj, me kreun e grupit të Shkodrës që i thoshte “mbretit të kumarit” se përndjekjen e kishte nga Edi Rama. Këto biseda janë publikuar nga gazetari Elton Qyno.
Pavarësisht pretendimeve publike të Sali Berishës, përgjimet e dala nga “Sky” i referohen minimalisht shumë muajve më parë se koha kur Ervis Martinaj u zhduk.
“Ju e patë publikimin e fundit të gazetarit Elton Qyno, i cili faktonte nga bisedat e bëra midis bandave se porositësi i vrasjes së Ervis Martinajt ishte vetë Rama. “E ke politike”, i thoshte Bajraj Ervis Martinajt dhe ky i thoshte se “partia jote po më dënon”.
Pasi Rama e paralajmëroi se ta dimë targën dhe ta do merrem personalisht, Rama angazhoi policinë mbase si ekzekutorë, mbase kanë qenë banditë. Ai u nda në fund me një oficer policie. Kemi të bëjmë me një vrasje shtetërore, ekstraligjore, ekstrakushtetuese”, është shprehur Sali Berisha në Vizion Plus.
Po ashtu, ish-kryeministri ka akuzuar veç Ramës edhe Taulant Ballën, se kanë të lidhur me vrasës e trafikantë, ndaj sipas Sali Berishës është jetike që të zbardhet e vërteta e lidhjes së politikës me krimin.
“Vetëm maja e ajsbergut ka dalë dhe del se Taulant Balla, Edi Rama janë të lidhur me vrasës, me trafikantë, akuzohen për vrasje, për porosi vrasjes, për trafiqe. Është jetike që të zbardhet e vërteta e lidhjes së politikës me krimin”, është shprehur ai në emisionin “Quo Vadis”.