Një ngjarje e rëndë ndodhi ditën e djeshme, 19 tetor, në Pazarin e Korçës. Aleksandra Malka u plagos nga një 36-vjeçar, i cili dyshohet se vuan nga probleme të shëndetit mendor. Sakaq, i plagosur mbeti edhe një person tjetër, i cili ndërhyri për të neutralizuar situatën.
Autori i ngjarjes është identifikuar si Jonis Mazllëmi. Ky i fundit në dëshminë e tij pretendon se shitësja e dyqanit, Alaksandra Malka, i hidhte ilaç në ushqime me qëllim për ta sëmurur.
Ndaj dhe ai është ngritur në 03:00 të natës dhe ka marrë hanxharin e mishit, duke pritur mëngjesin për të bërë sulmin.
Mazllëmi është arrestuar për “Vrasje me dashje” mbetur në tentativë ndaj Aleksandra Milka, dhe “Plagosjen e lehtë” të dy personave të tjerë.
Gjatë marrjes në pyetje Jonis Mazllemi ka deklaruar se:
“…në lidhje me sa po me pyesni dua të them se sot rreth 3 të mëngjesit jam zgjuar nga gjumi. Pasi jam zgjuar kam qëndruar në banesën time dhe kam parë televizor. Ashtu siç ju thashë më lart, unë kam qënë vetë në banesën time sepse kam 10 ditë që rri pa ngrënë ushqim.
Dua të shpjegoj se problemi im me ushqimin qëndron sepse një shitëse që është tek një dyqan poshtë pallatit tim, në ushqimet që mund të konsumoj unë, iu hedh gjera per te me semurur.
Po kështu dua të sqaroj se une nuk marr dot as ushqime jashtë, sepse kjo gruaja iu ka thene dhe njerëve të tjerë që në momentin që unë do të kërkoj ushqim, të me hedhin ilaçe të ndryshme për të më këputur këmbët.
Për këtë arsye, sot rreth orës 10:00, kam marrë nga banesa hanxharin e shtëpisë që e kemi për të prerë mish dhe jam nisur për ta frikësuar këtë gruan që të më lerë të qetë në hallet e mia.
Kam zbritur poshtë pallatit dhe kjo gruaja më ka dalë përpara rrugës, ashtu siç me del çdo dite. Une sa e kam parë që më ka dalë përpara e kam goditur nga këmbët me hanxhar. Ajo është mbrotjur me dorë.
Dua të them se gjatë këtij momenti ka ndërhyrë një burrë për të na ndare dhe atë e ka prekur pak hanxhari kur po na ndante.
Pastaj mua më kanë ulur poshtë në tokë, më kanë shtrirë dhe ka qënë në grup njerëzish që janë turrur dhe më kanë goditur me shkelma. Unë kam qëndruar ashtu i shtrirë derisa ka ardhur dhe me ka marrë policia…”.