Shofer i kompanisë “Blue Taxi” është shoqëruar së fundmi në policinë e Tiranës.
Bëhet me dije nga burime zyrtare se shoferi është ndaluar pas akuzave të një shtetaseje franceze se e ka ngacmuar seksualisht, gjatë itinerarit që ajo kishte kërkuar shërbimin e taksisë.
Policia bën me dije gjithashtu se shoferi i përkiste një kompanie private taksi, konkretisht “Blue Taxi” dhe gjatë rrugës ka ngacmuar seksualisht turisten franceze.
Kjo e fundi ka njoftuar kompaninë “Blue Taxi” në mes të itinerarit, dhe ka kërkuar një taksi tjetër.
“Nga verifikimet e kryera ka rezultuar se shtetasja franceze, më datë 04.09.2023, ka udhëtuar me një automjet taksi të një kompanie që ofron shërbim taksi, dhe në mes të rrugës i ka kërkuar kompanisë, një automjet tjetër, po të kësaj kompanie, me pretendimin se drejtuesi i automjetit po e ngacmonte seksualisht. Kompania i ka vënë në dispozicion një tjetër automjet të kompanisë dhe turistja franceze është larguar.
Në përfundim të veprimeve të para hetimore të kryera nga Specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve Kibernetike në DVP Tiranë drejtuesi i taksisë shtetasi E.C, 28 vjeç, u shpall në kërkim.
Pas kërkimeve për lokalizimin dhe kapjen e tij është bërë e mundur kapja dhe shoqërimi i 28 vjeçarit në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë për veprime të mëtejshme procedurale të cilat po kryhen nën drejtimin e Prokurorit”, njofton policia.